Vendosni fjalën kyçe....

Lufta ‘do zgjasë shumë’ – Ministri izraelit


Lufta midis grupit të armatosur palestinez Hamas dhe Izraelit nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti, tha të mërkurën Benny Gantz, një anëtar i kabinetit emergjent të luftës të vendit dhe një ish-ministër i Mbrojtjes. Ai gjithashtu paralajmëroi se armiqësitë në shkallë të gjerë mund të përhapen përtej Gazës.

Duke folur në funeralin e Ofir Libstein, kreu i një këshilli rajonal i cili dyshohet se u vra nga militantët e Hamas-it, Gantz parashikoi se luftimet ‘do zgjasin shumë’.

“Lufta në jug, dhe nëse është e nevojshme edhe në veri apo kudo tjetër, mund të zgjasë me muaj dhe rindërtimi do zgjasë me vite. Vetëm kur rindërtimi të përfundojë do jemi fitimtarë”, tha ai, cituar nga Times of Israel.

Duke iu referuar një fronti të mundshëm verior, Gantz, i cili tani është një ministër pa portofol në kabinetin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, po i referohej gjendjes së trazuar në kufirin e Izraelit me Libanin, i cili është shtëpia e grupit militant Hezbollah. Sipas ministrit, qëllimi i Izraelit ‘nuk është vetëm të mposhtë Hamas-in, por të premtojë se jugu do jetë 100% parajsë’.

“Pasi të fitojmë, në çdo front që luftojmë, ne do t’i përkushtohemi këtij rindërtimi,” tha ai.

Ndërkohë, duke folur për Channel 12 të Izraelit, Gadi Shamni, një ish-komandant i Divizionit të Gazës të IDF-së, sugjeroi se SHBA-ja, aleati kryesor i vendit të tij, ‘po pret që ne të shkatërrojmë Hamas-in’. Ai beson se ushtria izraelite është në lartësinë e detyrës dhe është në gjendje të përfundojë misionin brenda gjashtë deri në tetë muaj.

Megjithatë, duke komentuar afatet kohore të mundshme të luftës, ish-shefi i CIA-s, David Petraeus paralajmëroi se fushata tokësore e Izraelit në Gaza mund të të jetë si ‘Mogadishu por me më shumë humbje’, duke iu referuar një beteje të përgjakshme të vitit 1993 ku u përfshinë forcat amerikane dhe disa grupe somaleze.

“Do shihni sulmues vetëvrasës, do shihni mjete shpërthyese të improvizuara, do ketë prita, kurthe me armë zjarri, do jetë shumë sfiduese.” – tha ai për Politico.

Përplasja e dhunshme mes Hamas-it dhe Izraelit shpërtheu më 7 tetor kur grupi militant nisi një sulm të befasishëm me raketa si dhe nga toka, deti e ajri, me përplasjet që çuan në mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Në përgjigje, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është në luftë, duke u zotuar për hakmarrje. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, përplasja ka marrë jetën e më shumë se 3,700 palestinezëve dhe 1,400 izraelitëve.