Vendosni fjalën kyçe....

‘Metroja e Gazës’ – Rrjeti misterioz i tunelit nëntokësor i përdorur nga Hamas-i


Tunelet e panumërta nën Gaza njihen më së miri si kalime që përdoren për të kontrabanduar mallra nga Egjipti dhe për të nisur sulmet në Izrael.

Por ekziston një rrjet i dytë nëntokësor që Forcat Mbrojtëse të Izraelit i referohen në biseda si ‘metroja e Gazës’.

Është një labirint i madh tunelesh, sipas disa llogarive disa kilometra nën tokë, që përdoren për të transportuar njerëz dhe mallra; për të ruajtur raketat dhe rezervat e municioneve; dhe strehon qendrat e komandës dhe kontrollit të Hamasit, të gjitha larg syve kureshtarë të avionëve dhe dronëve të vëzhgimit të IDF-së.

Hamas-i në vitin 2021 pretendoi se kishte ndërtuar tunele rreth 500 kilometra nën Gaza, megjithëse është e paqartë nëse ky numër është i saktë. Nëse është e vërtetë, tunelet nëntokësore të Hamas-it do të ishin pak më pak se gjysma e gjatësisë së sistemit të metrosë së qytetit të Nju Jorkut.

“Është një rrjet shumë i ndërlikuar, shumë i madh tunelesh në një pjesë mjaft të vogël territori,” tha Daphne Richemond-Barak, një profesore në ‘Universitetin Reichman’ të Izraelit dhe eksperte për luftërat nëntokësore.

Është e paqartë sa mund t’i ketë kushtuar rrjeti i tuneleve Hamas-it, që qeveris brezin e varfër bregdetar. Shifra ka të ngjarë të jetë e madhe, si për sa i përket fuqisë punëtore ashtu edhe kapitalit.

Gaza ka qenë nën një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore nga Izraeli, si dhe një bllokadë tokësore nga Egjipti, që nga viti 2007 dhe nuk besohet të ketë llojin e makinerive të mëdha që përdoren zakonisht për të ndërtuar tunele thellë nën tokë.

Ekspertët thonë se gërmuesit që përdorin mjete bazë ka të ngjarë të kenë gërmuar thellë nën tokë për të ndërtuar rrjetin, që është i lidhur me energji elektrike dhe i përforcuar me beton. Izraeli ka akuzuar prej kohësh Hamas-in për devijimin e betonit të destinuar për qëllime civile dhe humanitare drejt ndërtimit të tuneleve.

Kritikët e Hamas-it thonë gjithashtu se shpenzimet e mëdha të grupit në tunele mund të kishin ndërtuar strehimore ndaj bombave për civilët ose rrjete të paralajmërimit të hershëm si ato përtej kufirit në Izrael.

Përparësia asimetrike

Tunelet kanë qenë një mjet tërheqës i luftës që nga kohërat mesjetare. Sot ato u ofrojnë grupeve militante si Hamas-i një pëparësi në luftën asimetrike, duke bërë të pavlefshme disa nga përparësitë teknologjike të një ushtrie shumë më të përparuar si IDF.

Ajo që i bën tunelet e Hamas-it të ndryshëm nga ato të Al Kaedës në malet e Afganistanit ose Viet Kongët në xhunglat e Azisë Juglindore është se ai është ndërtuar nën një nga zonat më të dendura të populluara në planet. Gati 2 milionë njerëz jetojnë në 88 milje katrorë që përbëjnë qytetin e Gazës.

“Është gjithmonë e vështirë të merresh me tunele, mos më keqkuptoni, në asnjë kontekst, edhe kur janë në një zonë malore, por kur janë zona urbane, atëherë gjithçka është më e ndërlikuar, aspektet taktike, aspektet strategjike, aspektet operacionale, dhe sigurisht, mbrojtjen që dëshironi të siguroni për popullatën civile,” tha Richemond-Barak, e cila është gjithashtu një bashkëpunëtore e lartë në Institutin Lieber për Ligjin dhe Luftën Tokësore dhe Institutin e Luftës Moderne në West Point.

Që nga sulmi terrorist i 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë të paktën 1,400 njerëz, kryesisht civilë, IDF ka pretenduar vazhdimisht se Hamas-i është fshehur brenda këtyre tuneleve ‘nën shtëpi dhe brenda ndërtesave të populluara me civilë të pafajshëm të Gazës’, duke i kthyer ato në mënyrë efektive në mburoja njerëzore. Sulmet ajrore ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 2,670 palestinezë, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë të dielën.

IDF-ja pritet të ndjekë rrjetin në inkursionin e saj të ardhshëm tokësor në Gaza, pasi vitet e fundit ka bërë përpjekje të mëdha për të eliminuar tunelet e Hamas-it. Izraeli filloi një sulm tokësor në Gaza në vitin 2014 për të provuar të eliminojë kalimet nëntokësore.

Të premten, Izraeli paralajmëroi rreth 1.1 milionë banorë që jetojnë në Gaza të lëvizin në jug përpara operacionit të tij të mundshëm, sipas Kombeve të Bashkuara. Kritikët thanë se një urdhër i tillë ishte i pamundur të zbatohej në një kohë të shkurtër në mes të një zone lufte. Zyrtari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut tha se thirrja e evakuimit ‘kundërshton rregullat e luftës dhe humanizmin bazë’.

Lëvizja e civilëve jashtë qytetit të Gazës do ndihmonte për ta bërë më të sigurt eliminimin e tuneleve, por operacione të tilla do jenë të rrezikshme, tha Richemond-Barak.

IDF mund t’i bëjë tunelet përkohësisht të papërdorshëm ose t’i shkatërrojë ato. Sipas Richemond-Barak, bombardimi i kalimeve nëntokësore është zakonisht mënyra më efikase për t’i eliminuar ato, por sulme të tilla mund të ndikojnë tek civilët.

Ajo që është e qartë është se vetëm teknologjia nuk do të jetë e mjaftueshme për të ndaluar kërcënimin nëntokësor.

Izraeli shpenzoi miliarda dollarë në përpjekje për të siguruar kufirin me një sistem të zgjuar që mburret me sensorë të përparuar dhe mure nëntokësore, megjithatë Hamas-i ishte ende në gjendje të niste sulmin e tij të 7 tetorit nga toka, ajri dhe deti.

Richemond-Barak tha se kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse, një qasje që përdor inteligjencën vizuale, mbikëqyrjen e kufijve dhe madje duke u kërkuar civilëve që të vëzhgojnë çdo gjë të dyshuar.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të pagabueshme teksa merresh me një kërcënim tuneli,” tha Richemond-Barak. “Nuk ka kupolë hekuri për tunele.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN