Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vodhi në një banesë mijëra euro e paund dhe sende me vlerë, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë


Një 28 vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë në kuadër të operacionit policor i koduar “Shkoza” pasi dyshohet se vodhi në një banesë, shuma parash dhe sende me vlerë.

Policia ka sekuestruar 7500 euro, 1138 paund, dhe sende me vlerë (aksesorë floriri), që iu gjetën 28-vjeçarit gjatë kontrollit fizik.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas kallëzimit të marrë nga një 42-vjeçar, se i kishin vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. A. (Gj)., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Gjithashtu u peocedua penalisht shtetasi Sh. P., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Shtetasi E. A. (Gj)., dyshohet se ditën e djeshme, ka vjedhur në një banesë në rrugën “Theodhori Bej”, rreth 9100 euro, 2000 paund, dhe sende me vlerë (aksesorë floriri), dhe më pas me një pjesë të parave të vjedhura ka blerë një celular në dyqanin e shtetasit Sh. P.

Gjatë kontrollit fizik 28-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale 7500 euro, 1138 paund, dhe sendet me vlerë (aksesorët e floririt), që ky shtetas ka vjedhur në banesën e 42-vjeçarit.

Punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve të cilat dyshohet se janë kryer nga 28-vjeçari i arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.