Vendosni fjalën kyçe....

Shpërndanin lëndë narkotike rreth shkollave, arrestohen dy të rinjtë në Burrel


Policia ka arrestuar dy persona pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narktoike në afërsi të shkollës në Burrel.

Në pranga u vendosën 24-vjeçari me iniciale Xh.C., dhe 31-vjeçari me iniciale E.K., (i dënuar më parë për veprën penale ‘Falsifikimi i monedhave’).

Atyre iu sekuestrua sasia prej rreth 2 kilogram lëndë narkotike cannabis sativa.

Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në afërsi të çdo shkolle në territorin e qarkut, me qëllim zbatimin e Paketës së Sigurisë në shkolla dhe parandalimin e depërtimit të krimeve, në këto ambiente, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër,  dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të këtyre ambienteve.

Shërbimet e Policisë arrestuan shtetasit  Xh.C., 24 vjeç; E.K., 31 vjeç, (i dënuar më parë për veprën penale ‘Falsifikimi i monedhave’), të dy banues në Burrel.

Këta shtetas u kapën në dy vende të ndryshme të qytetit të Burrelit, ku 24-vjeçarit, i’u gjet e fshehur në mjetin e tij një sasi lënde narkotike e ndarë në qese, ndërsa 31-vjeçarit, i’u gjet e fshehur brenda një ndërtese të vjetër një sasi tjetër lënde narkotike,  të cilën e kishte  amballazuar në dy kavanozë qelqi.

Këta shtetas e kishin ndarë lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj, në afërsi të shkollave.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për  identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër,  për veprime të mëtejshme”- njofton policia.