Vendosni fjalën kyçe....

“E reduktuam numrin e ushtarëve”,- Vuçiç në Samitin e Tretë të Komunitetit Politik Evropian: Jemi për paqen


Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar sot në një deklaratë për gazetarët në Granada, ku po merr pjesë në Samitin e Tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), se gjatë mbrëmjes do të ketë takime të shumta të rëndësishme.

Siç tha ai, që nga mëngjesi i sotëm ka pasur një sërë bisedimesh serioze dhe shtoi se ngjarjet në Kosovë do të diskutohen nesër, shkruan Euronews Serbia.

“Sonte kam bisedime me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, pres edhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Nesër në seancën e Këshillit Evropian tema do të jetë Kosova. Disa do të mundohen të flasin për Serbinë në mënyra të ndryshme”, tha presidenti i Serbisë.

Ai ka theksuar se është munduar t’ua shpjegojë qëndrimin e Serbisë përfaqësuesve evropianë, se kjo është punë e tij dhe se kështu do të vazhdojë.

“Nuk është gjithmonë e lehtë, as e këndshme. E shihni se si disa nga miqtë tuaj tremben për shkak të presionit, por çfarë të bëj, ju duhet të luftoni me të gjitha forcat për vendin tuaj dhe shpresoj t’ia dalim, por nuk premtoj asgjë”, tha Vuçiç.

Siç thotë ai, nuk ka biseduar me përfaqësuesit nga Prishtina sepse ata as që duan të flasin.

“Nuk keni dëgjuar kurrë nga ne që jemi për sanksione, ne po mundohemi që njerëzit tanë në Kosovë të kenë një jetë normale”, tha presidenti duke komentuar kërkesën e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani drejtuar liderëve të BE-së për vendosjen e sanksioneve mbi Serbinë.

Ai mbrojti që zgjidhjet e problemit të Kosovës të bazohen në realitet dhe kompromis, “dhe jo diçka që dikush ëndërron pa i dhënë asgjë palës tjetër”.

“E reduktuam numrin e ushtarëve në vijën administrative, jemi për paqen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiç e ka quajtur hipokrite deklaratën e ambasadorit gjerman në Kosovë se më 24 shtator ka ndodhur një sulm ndaj integritetit territorial të Kosovës. 

“Kur thuhet se po sulmoni integritetin territorial të një vendi që nuk është anëtar i OKB-së dhe në të njëjtën kohë po shkatërroni integritetin territorial të një anëtari të OKB-së dhe se me Rezolutën aktuale 1244, është hipokrite”, tha Vuçiç.