Vendosni fjalën kyçe....

Turqi, sulm terrorist pranë parlamentit në Ankara, humbin jetën 2 policë dhe njëri prej terroristëve


Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mëngjesin e sotëm në Ankara, pranë parlamentit turk, i cili më pas do të fillonte mbledhjet për mandatin e ri parlamentar.

Ministria e Brendshme e Turqisë thotë se shpërthimi në kryeqytet është një “sulm terrorist”.

Ministri thotë se një kamikaz ka shpërthyer një mjet shpërthyes në kryeqytetin turk, duke vrarë 2 policë, ndërsa ka vdekur njëri prej terroristëve dhe tjetri është neutralizuar.

Ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaya, në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, thotë se: “Rreth orës 09:30 ka ndodhur një sulm me bombë nga dy terroristë të cilët kanë ardhur me një automjet para portës hyrjese të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme. Njëri nga terroristët hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Dy policë kanë humbur jetën gjatë zjarrit. Një tjetër anëtar i yni është plagosur lehtë. I uroj heronjve tanë shërim të shpejtë. Lufta do të vazhdojë pa pushim derisa terroristi i fundit të neutralizohet”, tha ai.

Në vendngjarje kanë shkuar disa automjete policie dhe autoambulanca. Pas panikut, qarkullimi në disa rrugë është ndërprerë dhe dëgjohen zhurmat e autoambulancave që po vërshonin drejt zonës.

 Shpërthimi ndodhi në një automjet gri. Mësohet gjithashtu se pas shpërthimit janë dëgjuar të shtëna armësh.