Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratorët përpunuan vetëm 4.4% të mbetjeve urbane më 2022


Impiantet e djegies se mbetjeve (inceneratorët) pavarësisht se u ndërtuan në një proces tërësisht korruptiv të zbuluar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk po kryejnë funksionin për të cilat u projektuan.

Të dhënat e INSTAT tregojnë së ne vitin 2022 vetëm 4,4 për qind e mbetjeve urbane u trajtuan në incenerator, por qëllimin kryesor ishte prodhimi i energjisë, teksa dy prej objekteve kanë përfunduar në Elbasan dhe Fier dhe janë në administrim të shtetit, pas sekuestrove të lëshuara nga SPAK.

Në vitin 2022, rezulton të jenë menaxhuar rreth 820,322 mijë tonë mbetje urbane. Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2022, është 295 kg/banor, nga 311 kg/banor që ishte në vitin paraardhës.

Në vitin 2022, u ricikluan 18,9% e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë që në vitin e kaluar ky tregues ishte 18,8%.

Në vitin 2022 janë trajtuar me djegie në incenerator për eliminim dhe qëllime energjetike rreth 4,4% e sasisë gjithsej të mbetjeve, duke shënuar kështu rritje të këtij treguesi me 2,4%, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2021.

Në vitin 2022, janë gjeneruar gjithsej rreth 893 mijë tonë mbetje urbane, ndërkohë në vitin 2021, kjo shifër ishte rreth 955 mijë tonë.

Mbetjet e pa menaxhuara në raport me sasinë totale të mbetjeve të gjeneruara në vitin 2022, janë 0,2% më shumë se në vitin 2021.

Në vitin 2022, sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane është 11,6% ndaj sasisë gjithsej, nga 13,8% që ka qene në 2021, duke shënuar një rënie me 2,2%.

Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane në vitin 2022 është 89,2%, duke shënuar një rritje me 0,4%, krahasuar me vitin paraardhës.

Në përbërjen e mbetjeve urbane komponent kryesor janë mbetjet organike. Në vitin 2022, mbetjet organike përbëjnë rreth 58,1% të sasisë gjithsej të mbetjeve, kundrejt 58,6% që ky tregues ishte në vitin 2021.

Në vitin 2022, u depozituan rreth 76,6% e sasisë totale të mbetjeve në landfille dhe fusha mbetjesh, ndërkohë që në vitin 2021, u depozituan 79%, duke shënuar një rënie rreth 2,4% të sasisë gjithsej të depozitimeve në landfille dhe fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë përkatëse.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor