Vendosni fjalën kyçe....

Forcohen kriteret për emërim në SPAK. Do verifikohen nga një komision i BKH, kandidatët e zgjedhur do votohen nga KLP


Prokurorët që kandidojë për tu bërë pjesë e prokurorisë së Posaçme SPAK, përveç vettingut dhe kontrollit nga KLP, duhet të kalojnë një filtër të ri para emërimit në detyrë duke forcuar edhe më shumë kriteret për tu bërë pjesë e kësaj strukture.

Në mbledhjen e 19 shtatorit, këshilli i lartë i prokurorisë ka miratuar rregulloren, e cila parashikon ngritjen e një komisioni për këtë çështje, i cili deri tani nuk ka funksionuar. 

Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve i cili krijohet nga Gjykata e Posaçme, SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe funksionon pranë prokurorisë. SPAK aktualisht ka tri vende vakante të paplotësuara në organikën e saj megjithëse ngarkesën e madhe që institucioni ka me dosje.

Në argumentet shpjegues të draftit për ngritjen e Komisionit, thuhet se ai është i nevojshëm duke vlerësuar rëndësinë e SPAK-ut, numrin e lartë të kandidatëve të pritshëm pasi shumë prej tyre e kanë kaluar tashmë vettingun. Anëtarët propozues të vendimit, shprehen më tej se me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë për emërim në SPAK, janë bërë disa shtesa në lidhje me kriteret, duke shtuar ndër të tjera edhe konceptin e përvojës specifike. Rregullorja e re, ka të bëjë me procedurën e renditjes së kandidatëve dhe më pas kalimin e tyre për verifikimin e pasurisë dhe figurës pranë Komisionit të Posaçëm pranë SPAK.

Kjo strukturë e re ka 120 ditë kohë për verifikimet e më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vijon me emërimin në detyrë të atij prokurori që ka kaluar verifikimin dhe renditet më lart. Në nenin 35 të rregullores, parashikohet se vendimi i KLP-së për renditjen e kandidatëve i dërgohet komisionit të posaçëm në SPAK, i cili kryen verifikime dhe harton një raport të detajuar mbi pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Rregullorja e re i jep të drejtë komisionit të Posaçëm Pranë SPAK për përjashtimin nga gara të prokurorëve që marrin vlerësim negativ në verifikimin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Prokurorët e spak kanë një mandat 9-vjeçar ndërsa drejtuesi i prokurorisë është një prej anëtarëve të strukturës me mandat 3 vjeçar si titullar.

Në mbledhjen e KLP-së më 19 shtator është vendosur edhe miratimi i rregullores “Për caktimin e rregullave dhe procedurave mbi uljen e ngarkesës së punës për prokurorët”. Ky vendim, krijon hapësirë që veç prokurorëve që kanë vetë probleme shëndetësore mund të bëjnë kërkesë për uljen e ngarkesës në punë, edhe ata prokurorë që kanë nën kujdestari familjarë të sëmurë, përfshi edhe gjyshërit.