Vendosni fjalën kyçe....

Juria e madhe e Xhorxhias rekomandon ngritjen e padive penale kundër tre senatorëve


 

Juria e madhe e Xhorxhias kishte rekomanduar ngritjen e padive penale kundër tre senatorëve republikanë dhe aleatëve të tjerë të ish Presidentit, Donald Trump si pjesë e hetimit për çështjen ku akuzohet zoti Trump, se ishte përpjekur të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, sipas një dokumenti të lëshuar të premten.

Raporti ishte baza mbi të cilën prokurorët e këtij shteti ngritën aktakuzën ndaj ish-presidentit.

Juria e madhe e posaçme kishte rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj dy senatorëve të atëhershëm të Xhorxhias, Kelly Loeffler dhe David Perdue, si dhe senatorit të Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, sipas raportit.

Zoti Graham, një rival i hershëm i zotit Trump që më pas u bë mik i tij, kërkoi nga zyrtarët në Xhorxhia të kontrollojnë fletëvotimet pas humbjes së presidentit republikan.

Në të kaluarën, zoti Graham kishte arsyetuar sjelljen e tij, duke thënë se kishte të drejtë të shqyrtonte veprimet elektorale në nivel shteti nga pozita e udhëheqësit të Komisionit Juridik të Senatit. Edhe të premten, duke reaguar ndaj raportit të jurisë së posaçme ai tha se kishte vepruar në përputhje me pozitën e tij si Senator dhe kryetar i komisionit. Ai kishte kundërshtuar kërkesën e jurisë për të dëshmuar, por si përfundim u urdhërua nga Gjykata e Lartë që ta bënte një gjë të tillë.

Dy ish-senatorët, Loeffler dhe Perdue, përkahës të zotit Trump, humbën ndaj kandidatëve demokratë në janar të vitit 2021.

Juria po ashtu kishte rekomanduar ngritjen e aktpadisë ndaj ish-këshilltarit për siguri kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn, këshilltarit të tij, Boris Epshteyn dhe avokatëve Lin Wood dhe Cleta Mitchell, në bazë të raportit.

Asnjëri prej tyre nuk ishte në mes të të akuzuarve kur prokurorët e Xhorxhias ngritën çështjen penale kundër zotit Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij.

Juria rekomandoi ngritjen e akuzave ndaj 39 individëve në raportin e 15 dhjetorit, që nuk ishte i hapur për publikun për nëntë muaj.

Juria e madhe e posaçme u mblodh në vitin 2021 me kërkesën e Prokurorës së Qarkut Fulton Fani Willis, për të ndihmuar hetimet që ajo po zhvillonte për këtë çështje. Gjatë asaj periudhe, anëtarët e jurisë kërkuan dëshmi nga 75 dëshmitarë, përfshirë aleatët e zotit Trump – ish avokatin e tij, Rudy Guiliani, zotin Graham dhe zyrtarët kryesorë të Xhorxhorias, si guvernatori Brian Kemp.

Juria e posaçme nuk ka mandat të bëjë akuza. Por zonja Willis përdori provat e mbledhura nga juria për të kërkuar ngritjen e aktpadisë nga një juri e madhe e zakonshme muajin e kaluar, në të cilën zoti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për udhëheqjen e një komploti për të sabotuar fitoren e kandidatit demokrat Biden në këtë shtet.

Juria e madhe nuk kishte vepruar njëzëri. Të paktën një anëtar i saj kishte votuar kundër akuzave të rekomanduara kundër zotit Trump.

Tridhjetë vetë që u konsideruan pjesëmarrës në komplot për të përmbysur zgjedhjet në Xhorxhia, ndaj të cilëve nuk është ngritur akuzë, por që kanë luajtur rol në skemën e përmbysjes së rezultatit, janë të radhitur në aktpadi.

Nëntëmbëdhjetë të akuzuarit kanë deklaruar para gjykatës se janë të pafajshëm. Ashtu si në tre rastet e tjera penale, zoti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe thotë se është viktimë e përndjekjes politike.

Megjithë sfidat ligjore, ai vazhdon të jetë kandidati me shanset më të mëdha për të siguruar emërimin republikan në garën kundër Presidentit Biden për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Prokurorja Willis kishte kërkuar që raporti i jurisë së madhe të mbetej konfidencial ndërkohë që po vendoste për akuzat. Tani që aktpaditë janë bërë publike, gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Qarkut të Fultonit, Robert McBurney, kishte shkruar në vendimin e javës së kaluar se nuk kishte arsye që ky raport të mos bëhej publik./ VOA