Vendosni fjalën kyçe....

Taksa e pronës, Dhoma Amerikane letër MF: Rishikoni metodologjinë dhe çmimet e referencës për çdo zonë


Pas publikimit nga qeveria të projektligjit “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, Dhoma Amerikane e Tregtisë i është drejtuar me një letër ministrisë së Financave ku ngre shqetësimin se ndryshimet e propozuara në këtë projektligj katërfishojnë normën e taksës së pasurisë.

“Konstatojmë se tarifat e reja janë shumë të larta krahasuar me ato ekzistuese. Në relacion flitet për rritje të të ardhurave nga taksa e pasurisë por rritja duhet të vijë nga mirëadministrimi dhe jo nga katërfishimi i normës tatimore”, citohet në letër.

Për këtë arsye Dhoma Amerikane i kërkon dikasterit të financave të rishikojë metodologjinë e përdor si dhe çmimet e referencës që janë caktuar për çdo zonë të cilat sipas AmCham duhet të reflektojë vlerën reale të tregut deri tek tagri i pakufizuar që i është dhënë pushtetit vendor.

“Konstatojmë se ky projektligj ka probleme thelbësore në konceptim dhe në shkrim. Problemet i vërejmë në formulimin e disa përkufizimeve të cilat janë të paqarta, evazive, pa referenca të sakta dhe në disa raste të pasakta por edhe në mbivendosjen apo përplasjen e dispozitave me ligje të tjera”, sqaron letra.

 Për sa i përket përcaktimit të metodologjisë së vlerësimit, AmCham nënvizon se duhet të bëhet nga ligji dhe jo të lihet në dorë të plotë të qeverisë, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Neni 118 i Kushtetutës përcakton se “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”, citohet në letër. Dhoma Amerikane rendit edhe sfidat për suksesin e këtij projektligji. “Problematikat ligjore ekzistuese lidhur me pronat e paluajtshme në vendin tonë, mungesa e një baze të saktë të të dhënave për taksën e pasurisë së paluajtshme si dhe përcaktimi dhe zbatimi i metodologjisë efektive janë sfidat kryesore për suksesin e këtij projektligji”, -thuhet në letër.

Qeveria në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i publikuar në fillim të muajit Gusht rrit çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë, me qëllim afrimin e vlerës së tyre me tregun aktual të shitjes dhe blerjes së pasurive të paluajtshme.

Dokumenti-mbi-projektligjin-per-taksen-mbi-pasurine-e-paluajtshme