Vendosni fjalën kyçe....

Deklaroi në polici se i kishin vjedhur çantën e punës me lekë, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë


Një 27-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e një çante brenda së cilës kishte dokumente e një shumë parash.

Sipas policisë, i riu kishte denoncuar se i kishin vjedhur një çantë të punës ku kishte 190 mijë lekë të reja.

Pas hetimeve policisë është arritur në përfundimin se i riu kishte bërë kallëzim të rremë dhe se shumën e parave e kishte luajtur në lojëra fati.

Njoftimi

“Bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e një çante me dokumente dhe me një shumë parash, në automjetin e firmës ku punonte, vihet në pranga 27-vjeçari.

Gjendet në banesën e 27-vjeçarit dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, çanta që ky shtetas e kallëzoi të vjedhur.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi B. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, se i kishin vjedhur çantën me dokumente dhe me 190 000 lekë, në automjetin e firmës ku punonte, në lagjen “Mazreku”, Kashar, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. M. ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e çantës me dokumente dhe para. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar çanta për të cilën kishte bërë kallëzim. Gjithashtu, pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shumën e parave, shtetasi B. M. e ka shpenzuar për lojëra fati.Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i shtetasit B. M., 27 vjeç, banues në Kashar, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”