Vendosni fjalën kyçe....

Politikania konservatore gjermane sulmohet me feçe qeni


Deputetja e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) Beatrix von Storch është vënë në shënjestër të një protestuesi, i cili e leu me jashtëqitje qeni në një ngjarje në shtetin perëndimor të Rheinland-Pfalz.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes në një forum në qytetin e vogël Daun. Një burrë 35-vjeçar hyri në vendin ku po zhvillohej takimi, ku iu afrua von Storch dhe ‘e ndoti atë me jashtëqitje qeni me pretekstin se donte të bënte një foto me folësen’, sipas një deklarate nga policia lokale. Sulmuesi i paidentifikuar u arrestua menjëherë nga oficerët.

Von Storch, nënkryetare e AfD, dënoi sulmin të shtunën në një videomesazh të postuar në X.

“Dje, pati një tjetër sulm të neveritshëm ndaj meje dhe AfD-së në Rheinland-Pfalz,” tha ajo.

“Ne luftojmë me argumente. Urrejtësit e AfD-së luftojnë me feçe. Pavarësisht se çfarë mjetesh të neveritshme përdorin, ne do luftojmë të palëkundur dhe tani më me vendosmëri për ripërtëritjen shpirtërore dhe morale të kombit tonë.”

Kritikët e kanë përshkruar AfD-në si të djathtë ekstreme dhe fanatike për kundërshtimin e saj ndaj emigracionit masiv. Presidenti Frank-Walter Steinmeier thuhet se la të kuptohet në fillim të këtij muaji se vendit mund t’i duhet të ndalojë partinë në fjalë për të mbrojtur demokracinë gjermane.

Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut i financuar nga shteti argumentoi muajin e kaluar se AfD është armiqësore ndaj Kushtetutës së vendit dhe për këtë arsye mund të ndalohet ligjërisht nga zgjedhjet.

Steinmeier paralajmëroi se ‘armiqtë’ e demokracisë së shpejti mund të kenë fuqi të mjaftueshme për të gërryer liritë gjermane dhe për të ‘brutalizuar’ shoqërinë.

“Ne e kemi në dorë t’i kthejmë në vendin e tyre ata që e përçmojnë demokracinë,” tha ai, me sa duket duke nënkuptuar AfD-në.

Zyrtarët gjermanë të inteligjencës kanë sugjeruar se anëtarët e AfD-së po bëhen më ‘ekstremë. Megjithatë, partia aktualisht mbështetet nga më shumë se një në pesë votues gjermanë, e dyta pas koalicionit qeverisës CDU/CSU, sipas sondazhit të fundit.