Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen xhaxhai dhe nipi në Vlorë, kishin fshehur në kroskotin e makinës dy mina me telekomandë


Policia e Vlorës ka bërë me dije se gjatë një aksioni të zhvilluar ditën e sotme, ku ranë në pranga 33-vjeçari Fatjon Gjonaj, dhe 19-vjeçari Ergys Gjonaj, xhaxha dhe nip, ka sekuestruar 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë.

Njoftimi:

VLORË- Xhaxha e nip janë arrestuar në hyrje të qytetit të Vlorës, teksa po lëviznin me dy mina me telekomandë me vete. Në pranga kanë rënë Fatjon dhe Ergys Gjonaj, të cilët janë konstatuar me lëndën plasëse mbrëmjen e kaluar nga blutë e Vlorës pas një kontrolli që kanë ushtruar në automjetin e tyre.

Konkretisht, ata i kishin fshehur dy minat me telekomandë në kroskotin e makinës me të cilën po lëviznin. Këto mina ishin të programuara për shpërthim në distancë dhe sipas policisë dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe ishin të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatorë për shpërthim. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 2”.

“Shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Vlorës, ndaluan automjetin me të cilin lëviznin 2 të arrestuarit. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale”, njofton policia.

Zbulimi i këtyre minave me telekomandë, vjen dy ditë pasi Policia e Vlorës parandaloi një tjetër ngjarje kriminale, ku një 35-vjeçar Amarildo Nikolli (Xhanej), u arrestua me një pistoletë silenciator, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak, doreza dhe kapuç në çantën e shpinës.