Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon shtyrjen e gjyqit pas zgjedhjeve presidenciale 2024


Avokatët e ish-presidentit amerikan Donald Trump kanë kërkuar që gjyqi i tij federal për akuzat e keqpërdorimit të dokumenteve të klasifikuara të shtyhet deri pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Në një dosje gjyqësore të hënën, ata argumentuan se natyra ‘e jashtëzakonshme’ e çështjes kërkon një ritëm të përpiktë dhe jo një të tillë ‘të përshpejtuar’.

“Gjykata duhet, me respekt, përpara se të përcaktojë ndonjë datë gjykimi, të lërë kohë për zhvillimin e qartësisë së mëtejshme në lidhje me natyrën dhe qëllimin e plotë të mocioneve që do depozitohen, një kuptim më të mirë të një zbulimi të vërtetë dhe afatit kohor para gjykimit, dhe përfundimin e procesit të verifikimit të sigurisë”, shkruan avokatët në kërkesën e tyre.

Trump u vetëdeklarua i pafajshëm muajin e kaluar për 37 akuza për krime në lidhje me keqpërdorimin e tij të dyshuar të dokumenteve të klasifikuara pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.

Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se kishte ‘të gjithë të drejtën’ për të mbajtur dokumentet në fjalë, duke argumentuar se ato nuk ishin më të klasifikuara kur i mori në shtëpi. Trump i tha së fundmi Fox News se ai thjesht nuk kishte kohë të kthente dosjet kur u pyet nga zyrtarët federalë.

Mbi 300 dokumentet e gjetura nga FBI, shumë gjatë një bastisjeje të diskutueshme në pronën e Trump në Mar-a-Lago gushtin e kaluar, thuhet se përfshinin materiale të klasifikuara të sigurisë kombëtare në lidhje me sekretet bërthamore dhe aftësitë mbrojtëse të vendit, si dhe një plan të mundshëm sulmi kundër Iranit.

Kandidati republikan e ka denoncuar çështjen kundër tij si një ‘shpërdorim të keq dhe të urryer të pushtetit’, si një ‘mashtrim’ dhe ‘gjueti shtrigash’. Pas padisë, epërsia e Trump në sondazhe u dyfishua ndaj rivalit të tij më të afërt për nominimin republikan 2024, Guvernatorit të Floridës Ron DeSantis, dhe ai ka qenë dukshëm përpara presidentit Joe Biden.