Vendosni fjalën kyçe....

Opozita në Kosovë kritikon ashpër deklaratën e Gërvallës që e quajti BE-në ‘tigër prej letre’


Opozita e ka cilësuar si deklaratë skandaloze deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, që e quajti BE-në tigër prej letre në kontekst të sigurisë në Ballkan Perëndimor. Në PDK kanë thënë se kjo është vazhdimësi e skandalizimit të Kosovës ndërkombëtarisht, shkaku i Qeverisë Kurti. Në LDK e AAK u kanë kërkuar Qeverisë e Presidencës të deklarohen nëse kanë qëndrim të njëjtë me Gërvallën.

Kritika të shumta ka nxitur një deklaratë e kryediplomates kosovare Donika Gërvalla, e bërë në Forumin e Dubrovnikut.

Gërvalla deklaroi se BE-ja është ‘tigër prej letre’ në aspekt të sigurisë pa Shtetet e Bashkuara e NATO-n.

Opozita e ka quajtur skandaloze e të papërgjegjshme deklarimin e saj.

Koordinatori për sektorin e drejtësisë në PDK, Përparim Gruda, ka thënë për KOHËN se deklarata e prish edhe më tej Kosovën me një partner të saj.

Ai ka thënë se kjo deklaratë është skandaloze dhe është reflektim i Qeverisë së izoluar.

Ai ka kujtuar se lideri komunist i Kinës i shekullit të kaluar, Mao Cedong, ka përdorur cilësimin e tigrit prej letre për “imperializmin amerikan”.

“Krijimi i skandaleve nga znj. Gërvalla është tashmë një normë, nuk është një përjashtim skandali. Paraqitja në rregull është përjashtim… Është fiks ekzekutim i qëndrimeve në politikën e jashtme, që i ka kryeministri Kurti. Siç thash, ai ka përdorur këtë fjalor fyes ndaj sekretarit Bliken dhe Donika Gërvalla vetëm shtyn atë politikë që prodhon kryeministri Kurti që është politika që fyen dhe denigron dhe tregon mosrespekt ndaj aleatëve ndërkombëtarë”, ka thënë Gruda.

Zëdhënësja LDK-së në reagimin e saj shkroi se Gërvalla mori përgjigjen e duhur nga ndërkombëtarët dhe u shpreh se Kosova është në gjendje të rrezikshme dhe diplomatikisht e mjerë.

“E zhytur në pikëpamje iluzore të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajçak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!), kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullzimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloçin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme”, ka thënë zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

E sekretari i AAK-së ka kërkuar që Qeveria e Presidenca të tregojnë publikisht se a pajtohen apo jo me deklaratën e Gërvallës në Forumin e Dubrovnikut.

“Jo vetëm jodiplomatike, por skandaloze dhe shumë të dëmshme vlerësimet për BE-në të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla! Më e pakta që do të duhej, është një deklaratë e presidentes dhe e kryeministrit ku do të sqaronin se ajo që ka thënë ministrja e Jashtme nuk është qëndrim zyrtar i Republikës së Kosovës. Pas një distancimi të tillë, edhe zonja Gervalla do ta ketë më të lehtë ta gjejë rrugën e vet”, ka thënë sekretari i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i partisë “Mbijetesa Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, i cili ka treguar se edhe ish-kryeministri serb Vojislav Koshtunica, e lideri i Partisë Radikale, Vojislav Sheshel, e kanë përdorur formulimin “tigër prej letre” në raport me Bashkimin Evropian.

Edhe ish-kryetari i Prishtinës ka ironizuar me deklaratën e Gërvallës në rrjete sociale duke pyetur ironikisht se “nëse BE-ja pa SHBA-në është tigër prej letre” çka është Kosova pa BE-në e SHBA-në?”.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut të shtunën, ku morën pjesë edhe emisarët e BE-së e ata të SHBA-së, tha se BE-ja nuk mund ta garantojë sigurinë e Ballkanit Perëndimor pasi s’është e aftë për të garantuar sigurinë e rajonit.

Por ajo u kundërshtua nga emisarët Escobar e Lajçka.

Escobar në replikën e tij ka përfshirë Kosovën në mesin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë udhëheqje që beson se populizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rruga përpara. Ndërsa Lajçaku ka thënë se Bashkimi Evropian është ëndërr për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Presidenca e Kryeministria lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha