Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Rrëmbimi i tre policëve agresion, ndodhi 1 km brenda territorit tonë. Na befason heshtja e ndërkombëtarëve


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e quajti agresion ndaj shtetit demokratik e hakmarrje ndaj policisë, rrëmbimin e tre policëve nga forcat special serbe.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti tha se ishte i befasuar nga heshtja e ndërkombëtarëve e toleranca e tyre ndaj veprimeve destabilizuese të Beogradit.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe qëllim për përshkallëzim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-përshkallëzim dhe normalizim. Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i. Ne me partnerët tanë i ndajmë informatat por heshtja e tyre nuk i kontribuon as depërshkallëzimit, as hetimit dhe as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrëfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë edhe shkelje e rezolutës por është komandanti i KFOR-it që për çdo deklaratë përmend rezolutën 1244. Ne e konsiderojmë kushtetutën e vendit dhe ligjin si të drejtë dhe përgjegjësi tonën.” – tha Kurti.

Kurti tha se tre policët janë rrëmbyer 1 km brenda territorit të Kosovës duke nxjerrë disa forografi e harta që sipas kryeministrit e faktojnë këtë gjë.

Këtu e kemi një foto të hartës ku mund të shihni se si vendi ku janë rrëmbyer tre policët ndihet 1 km larg kufirit në thellësi të territorit të Kosovës. Rrëmbimi ka ndodh në këtë vendin që është thellë, është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veri perëndimore, pastaj 670 m larg pjesa veriore, 300 metra në jugperëndim. Kemi foton edhe e rrugës së prerë që shihet qartazi se nuk kanë mundur të kalojën tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkuar në Serbi dhe qenkan arrestuar, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Kjo rruga e prerë është bërë për të ndalur 16 shtigjet ilegale që janë bërë vitin e kaluar dhe nuk bëhet fjalë për tejkalim të kufirit sic pretendon Serbia. Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOR, policia e Kosovës dhe janë gjendur gjurmët e këpucëve të huaja në drejtim të Serbisë, por edhe prangat lidhëse plastike, si është e mundur që pretendojnë se janë arrestuar në Serbi ku prangat janë në vendin që themi në. Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti se as të nesërmen me këtë të vërtetë që po e shfaqim para jush, nuk del KFOR. Ky vend është qartazi në Kosovë, edhe automjeti edh e ushqimi që kanë ngrënë policët është thellë në territorin e Kosovës.” – shtoi Kurti.

Sipas kreut të Prishtinës zyrtare, veprimet e Serbisë janë hakmarrje për arrestimin e kriminelit Millun Millenkoviç.

“Bëhet fjalë për 2 formacione të armatosura të Serbisë që kishin hyrë në territorin tonë me të cilat duhet të merrej KFOR-i. Dy njësitë serbe duket që kanë bërë vëzhgim dhe më pas rrëmbimin. Nuk bëhet fjalë për arrestim, arrestimin e ka bërë policia e Kosovës për kriminelin Millun Millenkoviç. Vetë policët kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë.” – shtoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë pas rrëmbimit të tre policëve nga forcat speciale serbe.

Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre efektivëve ndërsa i shpreh i befasuar nga tolerance e heshtja ndërkombëtare ndaj veprimeve të Serbisë që sipas Kurtit po kërkon vazhdimisht destabilizim.

“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim.” – tha Kurti.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e quajti hap të turpshëm e të papranueshëm rrëmbimin e tre efektivëve të policisë, ndërsa theksoi se ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Kosovës duke e cilësuar atë si një akt hakmarrjeje nga ana e Beogradit pas arrestimit të një krimineli.

“Beogradi ndërmori një hap të turpshmëm të papranueshëm duke rrëmbyer 3 zyrtarë të policisë sonë. Operacioni ka qenë organizuar nga ekipi special i Serbisë ‘Kobra’. Bëhet fjalë kur më herët ka pasur kontrabandë dhe ajo rrugë ishte ndërprerë nga ne. Ka qenë e pamundur që policët tanë të kalojnë në territorin e Serbisë siç thotë propaganda serbe. Ky akt kriminal është bërë si akt hakmarrje për arrestimin e një krimineli. Serbia po mundohet të pengojë shtrirjen e sovranitetit tonë në të gjithë territorin. Ky akt criminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse shfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë” – tha Zveçla.