Vendosni fjalën kyçe....

Xhiro totale në ekonomi, bie pesha e tregtisë, rritet e turizmit më 2022


Struktura e ekonomisë shqiptare nuk ka pësuar ndryshime të dukshme në dekadat e fundit, por pesha e sektorit të turizmit po pëson një rritje të fortë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022 ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë. Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8 për qind të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3% në vitin 2021.

Të dhënat tregojnë se nga xhiro totale e ekonomisë vitin e kaluar 35.8% i takon sektorit të tregtisë me një ulje të peshës me 3.8 pikë për qind në krahasim me vitin 2021.

Industria realizoi 22.6% të totalit te të ardhurave, me një rritje vjetore 0.3% me 2022.

Sektori i ndërtimit edhe pse u karakterizua nga zhvillime të vrullshme vitin e kaluar kontribuoi në 9,1 për qind të xhiros totale me një rënie -2.8 pikë % të peshës në krahasim me vitin 2021.

Bujqësia edhe pse sektori më i madh në ekonomi në vitin 2021 realizoi vetëm 0.5% të xhiros totale të ekonomisë shqiptare me përkeqësim në raport me vitin 2021.

Kontributi i sektorëve në xhiron totale të ekonomisë tregon mungesën e lartë të produktivitetit në disa sektorë. Psh bujqësia si sektori më i madh në ekonomi nuk kontribuon as në 1 për qind të punësimit me pagë dhe të xhiros totale.

Analiza e të dhënave na tregon se gjatë dekadës së fundit 2011 – 2020, sektorët jobujqësorë me rritjen më të lartë të produktivitetit në Shqipëri janë ata të shëndetësisë (që angazhon 2.4 për qind të punësimit në vend), shërbimeve të ndryshme (9 për qind të punësimit në vend), publikimet dhe softuerë (0.5 për qind të punësimit), shërbimet profesionale (7.3 për qind të punësimit), energjia dhe gazi (6.2 për qind të punësimit) etj. Në këto sektorë niveli i produktivitetit është rritur mbi dy herë krahasuar me dhjetë vite më parë.

Këta sektorë ekonomikë që përbëjnë njëkohësisht drejtimet më të rëndësishme, ku cilësia e punës dhe mirëqenia e qytetarëve të përfshirë në këto aktivitete, është në përmirësim të dukshëm krahasuar me aktivitetet e tjera në vend.

Ministria e Financave sugjeron se fuqizimi i mëtejshëm i sektorëve të tillë dhe të tjerëve potencialë, përmes politikave mbështetëse për zgjerimin e punësimit mund të diversifikojë më tej orientimin e ekonomisë drejt aktiviteteve produktive dhe krijon mundësi të mëtejshme për të përmirësuar konkurueshmërinë e ekonomisë dhe kontribuar në mënyrë të qenësishme në rritjen e mirëqenies së qytetarëve./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor