Vendosni fjalën kyçe....

Silvio Berlusconi, ‘Il Cavaliere’ që dominoi politikën italiane ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare


Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Manjati i medias, i cili drejtoi tre qeveri italiane midis 1994 dhe 2011 dhe partia e të cilit Forza Italia është partnere e vogël në koalicionin aktual qeverisës, vuante nga leuçemia prej disa kohësh.

Berlusconi ishte një nga politikanët më të shquar të Italisë, duke bërë një rikthim politik në 2017, pavarësisht nga një karrierë e njollosur nga skandalet seksuale, akuzat e panumërta për korrupsion dhe një dënim për mashtrim tatimor.

Ai vdiq në spitalin ‘San Raffaele’ në Milano, ku kishte kaluar gjashtë javë më herë këtë pranverë duke iu nënshtruar trajtimit për një infeksion të mushkërive të lidhur me një leuçemi kronike mielomonocitare përpara se të rishtrohej.

I lindur në Milano në vitin 1936 në një familje të klasës së mesme, Berlusconi filloi karrierën e tij të biznesit në zhvillimin e pronave përpara se të themelonte ‘Mediaset’, transmetuesin më të madh komercial të Italisë. Ai gjithashtu zotëronte klubin e futbollit AC Milan midis 1986 dhe 2017.

Forza Italia u themelua në vitin 1993. Një vit më vonë, Berlusconi ishte kryeministri i parë që u zgjodh pa pasur më parë një zyrë qeveritare dhe mandati i tij i dytë në detyrë, midis 2001 dhe 2006, është më i gjati i shërbyer nga ndonjë lider italian që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u kthye në pushtet në vitin 2008, por u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2011 mes një krize akute borxhi.

Berlusconi u dënua për mashtrim fiskal në fund të vitit 2012, për të cilin ai kreu dënimin e tij njëvjeçar duke bërë shërbime komunitare me kohë të pjesshme në një shtëpi rezidenciale në Milano.

Ndalimi i tij për të kandiduar për postin u hoq në kohë për zgjedhjet e përgjithshme në 2018, kur Forza Italia konkurroi në koalicion me Lega-n dhe Fratelli D’Italia të kryeministres Meloni, por nuk arriti 40 përqindëshin e kërkuar për të qeverisur.

Në vitin 2019, Berlusconi fitoi një vend në Parlamentin Evropian dhe në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2022, partia e tij u kthye në pushtet në një koalicion të udhëhequr nga Fratelli D’Italia. Berlusconi u zgjodh gjithashtu si senator.

I mbiquajtur Il Cavaliere (kalorësi), Berluskoni shpesh konsiderohej si ‘mbretbërësi’ në politikën italiane.

Në vitin 2016, ai iu nënshtrua një operacioni për të zëvendësuar një valvul të dëmtuar të aortës dhe u shtrua në spital me Covid në shtator 2020. Ai pati ndërlikime të vazhdueshme në lidhje me virusin, një përvojë që ai e përshkroi si ‘më të keqen e jetës sime’.

Ai u martua dy herë dhe ishte në një lidhje me Francesca Pascale, 37, për shtatë vjet përpara se të lidhej me 33-vjeçaren Marta Fascina, deputete e Forza Italia. me të cilën pati një ‘martesë simbolike’ në mars 2022. Berlusconi ka lënë pas 5 fëmijë. /Hashtag.al