Vendosni fjalën kyçe....

Kolegji i Kryetarëve të PD-së zyrtare: Zgjedhja e kreut të ri të përfundojë brenda 15 korrikut


Kolegji i Kryetarëve të PD-së zyrtare i ka dalë kundër propozimit të deputetëve nën drejtimin e Gazment Bardhit.

Njëzëri Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike vendosi se PD-ja duhet të nisë pa asnjë vonesë punën për organizmin e zgjedhjen e kryetarit të ri dhe të grupit që do drejtojë partinë në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Kolegjit të Kryetarëve, procesi për zgjedhjen e kryetarit duhet të përfundojë brenda datës 15 korrik 2023.

Ndryshe nga Kolegji i Kryetarëve, grupi parlamentar i PD-së doli me një platformë sot, sipas të cilës kërkohet riorganizimi i Partisë Demokratike me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik.

Deklarata e Kolegjit të Kryetarëve të PD-sw

“Partia Demokratike që prej marsit 2022 ka bërë përpjekje të vazhdueshme, por pa rezultat për bashkimin e demokratëve,

– dorëheqja e kryetarit më qëllim për t’i hapur rrugë bashkimit, gjë që nuk ndodhi,

– kërkesa për organizimin e zgjedhjeve të përbashkëta të cilat u refuzuan,

– kërkesa për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit që u refuzua dhe u vazhdua me procese të njëanshme,

– propozimin për daljen me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore të 14 majit duke pranuar kandidatët e primareve

Të gjitha këto përpjekje u refuzuan.

Është humbur një vit në pritje të bashkimit, por pa rezultat dhe kjo ka ndikuar në dëmtimin dhe dobësimin e Partisë Demokratike.

Drejtuesit e Partisë Demokratike nga seksionet, grupseksionet, kryetarët e degëve kanë punuar me vetëmohim për të mos lejuar asimilimin Partisë Demokratike apo asgjësimin e saj.

Ne jemi të vendosur që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë një parti aleate e SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE, të shndërrohet në një alternativë dhe shprese për shqiptarët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Për këto arsye, çdo ditë e humbur nuk i shërben as Partisë Demokratike, as demokratëve.

Partia Demokratike duhet pa asnjë vonesë të zgjedhë kryetarin e saj dhe të nisë organizimin dhe përzgjedhjen, të ekipeve që do ta drejtojnë këtë parti drejt zgjedhjeve të ardhshme.

Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë të qëndrojë më gjatë pa kryetar. PD ka humbur kohë në pritje, ndërkohë që nuk ka asnjë reflektim nga pala tjetër, as pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit.

Procesi për zgjedhjen e kryetarit të përfundojë brenda datës 15 Korrik 2023.

Nëse vazhdojmë të rrimë në pritje, atëherë kjo i shërben vetëm projektit te kundërshtarëve tanë politikë.

Nuk duhet humbur më asnjë ditë kohë për organizimin e PD, zgjedhjen e drejtuesve dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në forcën politike që kërkojnë sot shqiptarët.

Kolegji i Kryetarëve të PD.”