Ofruesi i shërbimeve të aeroportit Swissport International ka kërkuar falje që harroi të hiqte një arkivol që mbante trupin e një shtetasi irlandez nga një aeroplan në aeroportin e Dublinit.
Avioni u kthye në Greqi me eshtrat e burrit në bord, duke e detyruar familjen e shqetësuar të riorganizonte funeralin.
“Na vjen shumë keq për përvojën e familjes në një kohë kaq të vështirë dhe bëmë gjithçka që mundëm për të siguruar që gjërat të zgjidheshin sa më shpejt që të ishte e mundur”, tha Swissport në një deklaratë për ‘Irish Independent’ të dielën.
Kompania tha se një hetim i brendshëm ishte nisur dhe premtoi se ‘do sigurohej që të nxirren mësime’.
Sipas ‘Irish Independent’, ngjarja ka ndodhur më 22 maj me trupin e një burri që kishte vdekur jashtë vendit.
Eshtrat e tij u dorëzuan në një avion të Aegean Airlines nga Greqia në Dublin, ku familja e tij po priste me një makinë funerali jashtë aeroportit. Megjithatë, arkivoli nuk u hoq nga avioni për shkak të një ‘ngarkese të gabuar’ dhe më vonë u kthye sërish në Greqi.
Edhe pse trupi u dorëzua në Irlandë nga një linjë ajrore tjetër të nesërmen, familja mbeti ‘e shkatërruar’ nga ngjarja, tha botimi.