Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut do lëshojë satelitin e parë spiun ushtarak në qershor, alarmohen fqinjët


Koreja e Veriut do lëshojë satelitin e saj të parë zbulues ushtarak në qershor për mbikëqyrjen e veprimtarive të SHBA-së, raportoi të martën media shtetërore KCNA, duke tërhequr kritika për përdorimin e saj të mundshëm të teknologjisë së ndaluar të raketave.

Ri Pyong Chol, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, denoncoi stërvitjet e përbashkëta ushtarake të vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut. Forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë kryer ushtrime të ndryshme stërvitore në muajt e fundit, duke përfshirë ushtrimet më të mëdha javën e kaluar, pasi shumë stërvitje u zvogëluan mes kufizimeve të pandemisë së koronavirusit dhe përpjekjeve diplomatike me Korenë e Veriut.

Ri tha se stërvitjet kërkonin që Pheniani të kishte ‘mjetet e afta për të mbledhur informacion në lidhje me aktet ushtarake të armikut në kohë reale’.

“Ne do shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse kërcënimet e tanishme dhe të ardhshme dhe do zbatojmë në praktikë më të plotë vperimtaritë për forcimin e parandaluesve të luftës gjithëpërfshirëse dhe praktike,” tha Ri në deklaratën e transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA.

Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore ka thënë se ka përfunduar zhvillimin e satelitit të saj të parë spiun ushtarak dhe udhëheqësi Kim Jong Un ka miratuar përgatitjet përfundimtare për nisjen.

Deklarata nuk specifikoi datën e saktë të lëshimit, por Koreja e Veriut ka njoftuar Japoninë për një lëshim të planifikuar midis 31 majit dhe 11 qershorit, duke bërë që Tokio të vendosë në gatishmëri mbrojtjen e saj raketore balistike.

Japonia ka thënë se do rrëzojë çdo predhë që kërcënon territorin e saj.

“Edhe nëse Koreja e Veriut mund ta quajë atë ‘satelit’, kjo është një shkelje e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e ndalojnë Korenë e Veriut nga të gjitha lëshimet duke përdorur teknologjinë e raketave balistike,” tha ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi në një konferencë shtypi të martën.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut gjithashtu kritikoi përdorimin e teknologjisë së raketave balistike nga Veriu si një shkelje e qartë e sanksioneve të OKB-së.

Zëdhënësi i ministrisë Lim i kërkoi Phenianit të heqë dorë nga plani i tij dhe u zotua se do t’i përgjigjet ashpër çdo lëshimi.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha të hënën çdo lëshim i Koresë së Veriut duke përdorur teknologjinë e raketave balistike, duke përfshirë një satelit, do shkelte rezolutat e OKB-së.

Lëshimi do ishte i fundit i Veriut në një seri lëshimesh raketash dhe testesh armësh, duke përfshirë një nga një raketë të re balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë muajin e kaluar.

Analistët thonë se sateliti do përmirësojë aftësinë e vëzhgimit të Koresë së Veriut, duke i mundësuar asaj të godasë objektivat më saktë në rast lufte.