Vendosni fjalën kyçe....

Bardh Spahia: Fitorja më 14 maj do jetë e thellë pavarësisht presioneve, parave të pista e përfshirjes së krimit


Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia, i cili garon për një mandate të dytë në Shkodër nën siglën e koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë fjalës së tij ai tha se kudo ku ka shkelur gjatë fushatës ka ndjerë frymën e fitores ndërsa tha se fitorja do jetë e thellë pavarësisht presioneve, parave të pista që janë hedhur në qarkullim e përfshirjen e krimit.

“Kudo ku kemi rrugëtuar në këtë fushatë, çdo lagje të qytetit dhe fshatra të njësive administrative, kam ndjerë frymën e fitores dhe besimin që dini të jepni vetëm ju, populli i Shkodrës. Vizioni dhe largpamësia që keni për t’i parë gjërat me objektivitet më bëjnë sot më të bindur se kurrë se falë mbështetjes të secilit prej jush, Fitorja e 14 Majit do të jetë më e thellë, më e bukur dhe më shpresëdhënëse për Shkodrën tonë. As në kohët më të vështira nuk jemi dorëzuar, as në momentet më delikate që ka kaluar vendi ynë nuk kemi gabuar, sepse na kanë udhëhequr parimet e forta që i kemi të trashëguara brenda nesh. Nuk do të ndodhë as këtë herë, e kam bindje këtë, përtej presioneve, parave të pista që janë hedhur në qarkullim, përfshirjen e krimit që po tenton edhe në këto zgjedhje ta bëjë pis Shkodrën dhe zgjedhjen tuaj të dashur bashkëqytetarë.” – tha Spahia.

Kryebashkiaku demokrat tha më tej se vota e 14 majit do jetë dita më e rëndësishme për Shkodrën e Shqipërinë dhe se ajo do jehojë në mbarë vendin e do sjellë ndryshimin e shumëpritur për qytetarët.

Na ndajnë vetëm 2 ditë nga e diela e 14 majit, që do të jetë dita më e rëndësishme për Shkodrën dhe Shqipërinë. Të vlerësojmë këtë moment dhe t’i japim rëndësinë që ka, shenjtërinë që duhet të ketë vota jonë, sepse përmes saj vendosim për të ardhmen. Ju ftoj me zemër të dilni masivisht në votime, ta thoni përmes fuqisë që ka vota fjalën tuaj dhe ta kurorëzojmë fitoren tonë ashtu siç i ka hije Shkodrës. Ashtu siç kemi ditur ta bëjmë gjithmonë, me qytetarinë dhe zgjuarsinë që na karakterizon. Vota për Bardh Spahia dhe koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ do jetë besimi që i jepni një ekipi profesionist dhe të përkushtuar, që ka zgjedhur të parën Shkodrën mbi çdo gjë. E diela e 14 majit është një sfidë për të gjithë qytetarët e ndershëm qe e duan Shkodrën larg duarve të krimit. Të jeni të bindur se kjo fitore do të jehojë fort, do ta bëjë edhe më të fortë Shkodrën, ekonomikisht dhe administrativisht, ashtu siç ka qenë përherë ndër rrjedhat e shekujve. 14 maji do të jetë dita në të cilën nis rrugëtimi i ri për Shkodrën, i mbushur plot shpresë dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për familjet tona.” – shtoi Spahia.