Ish-kryeministri Berisha tha sot se bota dixhitale, që është larg censurës, zien dhe është në mbështetje të kandidatit të opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi.
Në konferencën për mediat, kreu i Rithemelimit të PD-së tha se nga një sondazh në portalin e studentëve ka rezultuar se 69% e tyre kanë votuar për Këlliçin.
“Të gjitha këto kanë kontrast të madh me krahun tjetër. Siç e shihni, bota pa censurë, që është bota dixhitale, zien e tëra për opozitën. Para se të vija këtu, në një votim prej 12 mijë vetësh në portalin e studentëve, 69% votonin Belind Këlliçin. Rinia e tëra pas tij, ndërkohë, po nga bota dixhitale, javën që kaloi largfalsi e mbylli me indeksin më të lartë të neverisë në mediat sociale. Indeks, i cili ishte 20 herë ose dhe më shumë më i lartë sesa rivali i tij, që kishte pëlqyeshmëri të larta. Ajo çka shpreh mendimin reale të qytetarëve faktohet si një triumf i padiskutueshëm i opozitës.” – tha Berisha.
Ai dënoi kryeministrin Rama për kundërshtimin e përballjeve të kandidatëve të tij me ata të opozitës. Berisha tha se në kurriz të kandidatëve socialistë rëndojnë fatura vjedhjejee abuzimesh.
Ish-kryeministri e sfidoi kreun e qeverisë në debat, gjë që sipas tij nuk pritet të ndodhë për shkak të shmangies së Ramës.
“Edhe një herë, dënoj me forcën më të madhe refuzimin e ballafaqimin e kandidatëve nga Edi Rama, si një akt të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë. Akt i pashembullt! Edi Rama nuk i nxjerr dot në studio sepse mbi ta rëndojnë dhjetëra qindra euro fatura vjedhjeje, në projektet nga më të ndryshmet. Në këto kushte, kjo është thirrja e përsëritur e imja. Iu bëj thirrje mediave që të ftojnë kandidatët dhe të lënë karrigen boshë të kandidatit që nuk do të paraqitet. Sikundër përsëris ftesën ndaj Edi Ramës që të vijë në debat, të paraqesë para shqiptarëve gjithçka ai konsideron që i shërben interesit të pushtetit të tij. Ai nuk vjen dot. Unë e bëj këtë, por jam i bindur se ai nuk mund të vijë në debat. Rëndojnë afera mbi shpatullat e tij. Unë ia nxjerr dokumentet një nga një. Ai duhet të vijë në debat dhe të paraqesim të gjitha problematikat. Unë do i rreshtoja atij jo vetëm vjedhjet me firmat tij paf-paf paf, e fap fap fap, dhe vjedhjet e familjarëve të tij.” – shtoi Berisha.