Vendosni fjalën kyçe....

Putini pret Ministrin e Mbrojtjes së Kinës, vlerësohet bashkëpunimi ushtarak


Presidenti rus Vladimir Putin u takua të dielën në Moskë me Ministrin e Mbrojtjes së Kinës, Li Shangfu, duke vlerësuar bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve.

Kina dhe Rusia kanë forcuar marrëdhëniet në një sërë fushash dhe janë angazhuar në një partneritet “pa kufij”, siç e quajnë të dy vendet.

Pamjet e takimit, të postuara nga Kremlini, tregonin shtrëngimin e duarve mes zotit Putin dhe zotit Li. I pranishëm në takim ishte edhe Ministri i Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, sipas VOA.

Zhvillimi i marrëdhënieve midis dy vendeve tona po shkon mirë në të gjitha fushat – në sektorët ekonimik, social, kulturor, arsimore dhe ushtarak,” tha zoti Putin në nisje të bisedës.

Pekini pati njoftuar javën e kaluar vizitën e zotit Li në Moskë, duke thënë se ai do të takohej me zyrtarë të mbrojtjes, por pa përmendur një takim me zotin Putin.

Muajin e kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping u takua në Moskë me Presidentin Putin.

Që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia dhe Kina janë përpjekur të forcojnë lidhjet e tyre ekonomike, politike dhe ushtarake.

Të premten një zyrtar i lartë në Kiev tha se forcat ukrainase po gjejnë pajisje ushtarake kineze tek armët ruse të kapura në Ukrainë. Kina ka mohuar vazhdimisht ta ketë furnizuar Moskën me pajisje të tilla.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara nga afrimi mes Kinës dhe Rusisë dhe i kanë bërë thirrje Pekinit që të mos ndihmojnë me armë Rusinë në agresionin e saj ndaj Ukrainës.