Vendosni fjalën kyçe....

Dita e tretë e gjyqit ndaj krerëve të UÇK-së, mbrojtja: Provat e ZPS-së nuk e lidhin Krasniqin me krimet e pretenduara


Në ditën e tretë të gjykimit, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj hyrëse.

Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.

“Provat e prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja dhe as aktivitetet e tij nuk mund të lidhen me asnjë krim që pretendohen nga prokuroria”, tha ajo.

Avokatja tha se Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të vitit 1998 dhe të gjithë aktivitetin e tij e ka pasur publik.

Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Alagendra tha se Krasniqi ishte emëruar një prej dy zëvendëskomandantëve të UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por ai kishte qenë zëvendëskomandant për mbështetje dhe nuk kishte të bënte me çështje operacionale.

Sa i përket disa dokumenteve që ZPS-ja ka gjetur në shtëpinë e Krasniqit, pas arrestimit të tij, mbrojtja tha se ZPS-ja duhet të vërtetojë autorësinë e tyre.

Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike”, tha Alagendra./REL.