Vendosni fjalën kyçe....

Filmi ‘bërthamor’ i Oliver Stone del në kinematë amerikane


Publiku amerikan së shpejti do të jetë në gjendje të shikojë dokumentarin e ri të Oliver Stone ‘Nuclear Now’, në të cilin regjisori fitues i çmimeve eksploron një mjet të diskutueshëm për të trajtuar problemin e ndryshimeve klimatike.

Banorët e Nju Jorkut, Los Anxhelosit dhe ‘tregjeve të zgjedhura’ do jenë në gjendje të shohin ‘Nuclear Now’ në kinema duke filluar nga 28 Prilli, ka thënë distributori ‘Abramorama’ për Deadline. Ai do shfaqet në pjesën tjetër të SHBA-së dhe Kanadasë më 1 maj, dhe më vonë do bëhet i disponueshëm në platformat dixhitale dhe streaming përmes Giant Pictures.

“Kjo është, sipas meje, historia më e madhe e kohës sonë, ku diskutohet kthimi i njerëzimit nga varfëria në zhvillim dhe zotërimin e tij të shkencës për të kapërcyer kërkesën moderne për gjithnjë e më shumë energji,” tha Stone për Deadline.

Filmi bazohet në librin e profesor Joshua S. Goldstein të vitit 2019 ‘A Bright Future’, sipas të cilit energjia bërthamore mund të trajtojë ndryshimet klimatike. Stone shkroi skenarin bashkë me Goldstein dhe përdori ‘qasje të paprecedentë’ në industrinë bërthamore në Francë, Rusi dhe SHBA për të eksploruar mundësitë e saj.

“Për një kohë të gjatë e konsideruar si e rrezikshme në kulturën popullore, energjia bërthamore është në fakt qindra herë më e sigurt se karburantet fosile dhe aksidentet janë jashtëzakonisht të rralla,” tha Stone.

I titulluar fillimisht ‘Nuclear’, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit të Venecias vitin e kaluar. Traileri i parë amerikan për ‘Nuclear Now’ paraqet Stone duke thënë se njerëzimit ‘i ka mbaruar koha për t’u frikësuar’ dhe se ‘vetë gjëja nga e cila kemi frikë është ajo që mund të na shpëtojë’.