Vendosni fjalën kyçe....

Policia shkon në ‘Prestige Resort’ për sekuestrimin e dy godinave, përfaqësuesit ligjorë: E paligjshme, do i kallëzojmë të gjithë


Policia ka mësyrë mëngjesin e sotëm në ‘Prestige Resort’ për të sekuestruar dy godina të resortit.

Ata i kanë hapur dyert me kaçavida sipas përfaqësuesve ligjorë të ‘Hysenbelliu Group’, të cilët theksojnë se ndërhyrja është e paligjshme ndërsa kanë theksuar se punonjësit shtetërorë janë futur brenda me forcë.

Përfaqësuesja ligjore e ‘Hysenbelliu Group’, deklaroi se ndërhyrja është e paligjshme, duke shtuar se vendimi për konfiskimin e dy godinave 1 dhe 3 të ‘Prestige Resort’, është ankimuar dhe pritet hedhja e shortit dhe më pas vendimi i gjykatës.

Ajo u shpreh se edhe për këtë ndërhyrje të paligjshme sot, do ketë një tjetër kallëzim.

“Ne nuk kemi një njoftim që sot do mësynin, nuk kanë vendim gjykate, as nga Përmbarimi që na detyrojnë ne t’i lirojmë ambientin. Është një vendim i Këshillit Kombëtar i Kontrollit. E kemi ankimuar në gjykatë, do duhet së pari të hidhet shorti, të caktohet data e gjykimit, dhe do vendosë gjykata se si do të shkojë. Që nga momenti që hynë nga gardhi rrethues është hyrje me forcë, do t’i drejtohemi drejtësisë. Ata nuk po respektojnë ligjin, do t’i kallëzojmë të gjithë.” – tha ajo.

Avokati i ‘Hysenbelliu Group’ nënvizoi se kompania nuk ka pasur njoftim për ndërhyrjen.

“Puna jonë është të zbatojmë ligjin dhe thotë pronat kushdo që ka pretendimin shkon në gjykatë. Unë jam avokati, përfaqësues i shoqërisë. Policia mund të mbështesë , nëse keni vendosur të futeni me dhunë dhe në shkelje të ligji ne do të paraqesim kallëzim për shkelje penale. Nëse ju vlerësoni se duhet të na jepni kohë, duhet të na thoni më parë dhe të vinit në një ditë pushimi.” – tha ai.

Ndërkohë përfaqësuesja e Shërbimit Social tha se po bënte vetëm detyrën e saj, ndërsa shtoi se godinat do të jenë në administrim të institucionit që ajo përfaqëson.

“Jam këtu për të bërë punën time. Ju duhet të më lejoni të bëj punën time. Jam drejtuesja e institucionit, të qendrës së Zhvillimit që i është dhënë kjo godinë. Ai pezullim ka rënë poshtë. Ju vazhdoni me gjykatën, ne do bëjmë punën tonë. S’kam koment. Njoftimi zyrtar është bërë. S’kam koment. Kam ardhur të bëjë punën time. Do marrim në administrim godinat. Nuk quhet dhunë. Puna ime është që të marr në dorëzim këtë godinë. Mos u merakosni për ditën tonë të pushimit, se do ta marrim një ditë tjetër. S’dua t’i përgjigjem asnjë pyetjeje.” – tha ajo e pyetur nga gazetarët.