Vendosni fjalën kyçe....

Jo vetëm në Elbasan dhe Tiranë, atmosfera festive e Ditës së Verës ndjehet edhe në qytetet e tjera


14 marsi shënon Ditën e Verës, por festimet kanë nisur që një natë para, ku qytetarët kanë ndezur zjarrin që simbolizon djegien e dimrit dhe të këqijat dhe për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit. Një sërë aktivitetesh janë organizuar për të festuar këtë festë në Elbasan, Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit.

Elbasani do të jetë qendra e festimeve për Ditën e Verës, por nga ana tjetër edhe në Tiranë do të mbahen rreth 100 aktivitete nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës.

Festa do të kulmojë me një koncert në sheshin ‘Skëndërbej’ ku në orën 13:00 do të performojë këngëtarja shqiptare Enisa. Ndërsa mbrëmja do të mbyllet me një “Street party”në zonën e ish-Bllokut dhe shfaqja më e madhe e dronëve në rajon në zonën e Liqenit Artificial.

Ndërsa në qytetin e Beratit, Dita e verës ka sjellë trafik tepër të rënduar kryesisht në zonën pranë kalasë së qytetit që është përzgjedhur nga qytetarët për të pushuar dhe festuar.

Ndërkohë policia po menaxhon situatën duke mos lejuar grumbullimin e automjeteve dhe respektimin e rregullave. Për shkak se ka vetëm një rrugë për këtë lagje, ku janë përqendruar festimet, është shkaktuar trafik tepër i rënduar.

Në Lezhë gjithashtu dhjetëra qytetarë u bënë pjesë e festës në ambientet përreth memorialit të Gjergj Kastriotit.

Muzikë, interpretime, valle dhe lojëra të ndryshme përfshinë qytetarët e Lezhës në këtë ditë.  

Protagonist të festës u bënë grupe të ndryshme artistike dhe fëmije të shkollave të qytetit, të cilët përmes përmes performancës së tyre tërhoqën vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët kishin mbushur ambientin përreth memorialit të Gjergj Kastriotit.

Pjesë e aktiviteteve për ditën e Verës ishte dhe ekspozita e pikturës me autor krijuesit e vegjël lezhjanë të cilët përmes penës së tyre paraqiten simbolikën e kësaj feste, ndërsa veprimtaritë për 14-marsin në Lezhë vijuan gjatë gjithë paradites të së martës

Nën tingujt e muzikës, rrezeve të ngrohta të diellit, gëzimin e fëmijëve, dita e verës është festuar edhe në Vlorë. në një aktivitet të organizuar nga bashkia e qytetit, në lagjen e vjetër muradie. Aktiviteti ka nisur rreth orës 11:00 duke përfshirë këngë e valle për fëmijët, por edhe një koncert muzikor për të gjitha moshat.

Me rastin e ditës së verës edhe në Vlorë, ruhet tradita, duke u shpërndarë verore, ballokume por edhe vizatime të simboleve të pranverës me bojra tek fëmijët. Për uruar ditën e verës ka qënë prezent edhe kryetari i bashkisë së Vlorë, Dritan Leli, i cili këtë vit ka zgjedhur ta uroj ardhjen e pranverës mes fëmijve dhe alegrisë që ata përcjellin.

Dita e verës në Vlorë, jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe nga teperaturat e nxehta të ngjasonte me një të tillë.Rrezet e diellit kanë shoqëruar qytetarët e Vlorës në festimet e 14 marsit.