Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me strukturat e disa degëve: E ardhmja është e atyre që guxojnë të mbrojnë të vërtetat


Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me strukturat e degëve 8,9 dhe 10 në Tiranë.

Berisha ka vijuar sërish me akuzat ndaj kryeministrit Rama si të korruptuar, duke thënë se nuk ka korrupsion më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar se ai që procedoi me pseudorefgormën e George Sorosit në Shqipëri.

Kreu i PD tha se “e ardhmja është e atyre që i besojnë transparencës, atyre që guxojnë të mbrojnë të vërtetat. Ne kemi guxuar dhe do të vazhdojmë revolucionin tonë deri në fitoren përfundimtare”

 “Afera korruptive nga më gjigantet. Nuk ka korrupsion më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar se ai që procedoi me pseudorefgormën e George Sorosit në Shqipëri. Me lista të PS-së, me dhjetra gjykatës e prokurorë u larguan vetëm se ishin njerëz të shënjuar me bindje të djathta. Lista të bëra, që të gjitha në selitë e krimit, të PS-së. I dorëzoheshin dy personave, i dorëzoheshin motrës së Belinda Ballukut, Pamela Qirkos. Një njeri që s’meritonte as diplomën që ka marrë. I dorëzoheshin nuses së “Hakmarrjes për drejtësi”, Sanxhaktarit. Ajo ishte e besuara e SHISH.”

Më tej Berisha tha se korrupsioni qeveritar shqiptar, me korrupsionin ndërkombëtar u bënë një, për të luftuar, asgjësuar forcën politike pro perëndimore të Shqipërisë.

“Është e diel në darkë, kohë e papërshtatshme për takime politike, por revolucioni është i tillë, nuk njeh ditë të veçanta, apo stinë, është i vazhdueshëm deri në fitoren e tij të merituar. Prania juaj sot këtu është dëshmi e gatishmërisë tuaj. Ndaj përzemërsisht për praninë tuaj. Por përshëndes të gjithë anëtaret e anëtarët e PD-së degëve tuaja dhe mbarë Shqipërisë. Ne jemi në një betejë të pashembullt që nga viti 1991. Në vitin 1991 ne përballeshim me në një monizëm të bazuar në luftën  e klasave, doktorinën Marksiste-Leliniste si bazë e saj. Ne sot përjetojmë një monizëm të bazuar në krimin, sundimin e krimit, të drogës dhe korrupsionit. Ndofta kurrë ndonjëherë në Europë nuk ka patur një zhvillim si zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku korrupsioni qeveritar shqiptar, me korrupsionin ndërkombëtar u bënë një, për të luftuar, asgjësuar forcën politike pro perëndimore të Shqipërisë. Për të luftuar, asgjësuar forcën politike e cila në pushtet luftoi me zero tolerancë krimin, luftoi me një betejë të vendosur korrupsionin. Në opozitë vazhdoi denoncimin e të gjitha vjedhjeve, lidhjeve të qeveritarëve me krimin. Për këtë qëllim kjo forcë opozitare duhej heshtur, asgjësuar, arkivuar. Presione të jashtëzakonshme u bënë mbi ju, mbi anëtarësinë tonë, kërcënime nga më ç’njerëzoret. Por duhet të pranojmë, një sintonizim kjo vetëm i kësaj qeverive, të bazuar në krimin, drogën, por edhe në aleatë të tyre të korruptuar, diplomatë të korruptuar, zyrtarë, parlamentarë të korruptuar, të cilët lëshonin deklarata mbështetëse për ta. Shqiptarët këto vite të pashembullta për Europën, për vendet e lira kanë dëgjuar deklarata mbështetëse për krim-ministrin e tyre Edi Rama, më shumë se të gjitha kohërat, se ato shiteshin dhe bliheshin haptas në tregun e korrupsionit.  Por lavdi zotit, ne sot jemi në këmbë dhe më të vendosur se kurrë në fitoren tonë. Përsëri ka amargamë korruptive e korrupsionit shqiptar me atë ndërkombëtar përpiqet të mbahet, të rezistojë, përpiqet të mashtrojë shqiptarët prap, por ju garantoj ju se të ardhme nuk kanë. E ardhmja është e atyre që i besojnë transparencës, atyre që guxojnë të mbrojnë të vërtetat. Ne kemi guxuar dhe do të vazhdojmë revolucionin tonë deri në fitoren përfundimtare”, tha ai.