Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet “vila me kanabis” në Fier, arrestohet pronari dhe dy punonjësit e OSHEE-së (Video)


Në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila”, policia në Fier ka zbuluar një vilë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Nga operacioni është arrestuar në flagrancë pronari i vilës 3-katëshe, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjithashtu në pranga u vu edhe faturisti dhe elektricisti i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga operacioni u sekuestruan 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës si dhe u bë bllokimi i vilës 3-katëshe në ambientet e së cilës ishin kultivuar bimët narkotike.

Në vijim të punës për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të hapura e të mbyllura, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, mbështetur në inteligjencën policore se në fshatin Dërmënas, në vilën e shtetasit E. M. kultivoheshin bimë narkotike, është organizuar dhe finalizuar nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. M. alias Xh. G., 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën Policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;

-K. G., 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-B. F., 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon dhe hetimi pasuror ndaj pronarit të vilës, shtetasit E. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.