Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë është ChatGPT e ç’duhet ditur për aplikacionin që ka ‘pushtuar’ botën e po përplas gjigantët e teknologjisë


Çfarë ndodh nëse i kërkohet ChatGPT të përshkruajë veten? Chatbot-i i zhurmshëm i inteligjencës artificiale, ka ndezur bisedat në shkolla, dhomat e bordeve të korporatave dhe mediat sociale.

Në përshkrimin e vet, ChatGPT është ‘një chatbot me Inteligjencër Artificiale (AI) i zhvilluar nga OpenAI, bazuar në modelin e gjuhës GPT (Generative Pretrained Transformer).

Ai përdor teknika të të mësuarit të thellë për të prodhuar përgjigje të ngjashme me njeriun në një mënyrë bisedore.

Mjeti është tashë në qendër të vëmendjes në mbarë botë, përfshirë botën e biznesit. Është përmendur nga administrata në një sërë kompanish, duke përfshirë gjigantët e naftës, bankat etj.

Ajo gjithashtu ka ngjallur shqetësime për abuzime të mundshme. Në klasa, studentët e kanë përdorur ChatGPT për të shkruar ese të tëra ose për të zgjidhur detyra të ndryshme, ndërsa hakerët kanë filluar ta testojnë atë për të shkruar kode.

Çfarë është ChatGPT, saktësisht? Më poshtë është një udhëzues i thjeshtë lidhur me gjithçka duhet ditur rreth chatbot-it popullor të Inteligjencës Artificiale.

Çfarë është ChatGPT?

ChatGPT është një chatbot i AI i zhvilluar nga startup-i OpenAI me bazë në San Francisko. OpenAI u bashkëthemelua në vitin 2015 nga Elon Musk dhe Sam Altman dhe mbështetet nga investitorë të mirënjohur, më së shumti nga Microsoft.

Është një nga disa shembuj të Inteligjencës Artificiale (AI) gjeneruese. Këto janë mjete që lejojnë përdoruesit të fusin kërkesa të shkruara dhe të marrin tekste të reja të ngjashme me përgjigjet e një personi ose pamje e video të krijuara nga AI.

Shembujt e mëparshëm përfshijnë Dall-E, një program që shërbente për të kthyer tekstes në pamje nga OpenAI që tërhoqi vëmendjen e njerëzve të mahnitur nga aftësia e tij për të krijuar fotografi realiste, shpesh absurde, që përputhen me përshkrimet e teksteve të njerëzve.

Lensa, një aplikacion i bazuar në projektin e inteligjencës artificiale me burim të hapur Stable Diffusion, është përdorur për t’i kthyer selfiet në autoportrete të shquar të frymëzuar nga gjithçka, nga fantastiko-shkencore në të animuara.

Në rastin e ChatGPT, shërbimi është një mjet i bazuar në tekst që mund të prodhojë përgjigje njerëzore ndaj kërkesave të përdoruesve – nga poezia në stilin e William Shakespeare deri te këshillat se çfarë të bëni për festën e ditëlindjes së një fëmije.

Çfarë ka kaq të veçantë rreth tij?

ChatGPT mundësohet nga një model i madh gjuhësor, ose LLM, që do të thotë se është i programuar për të kuptuar gjuhën njerëzore dhe për të prodhuar përgjigje bazuar në korpuse të mëdha të dhënash.

LLM e ChatGPT quhet GPT-3.5. Është një përmirësim i modelit të gjuhës GPT-3 të OpenAI.

Me 175 miliardë parametra, GPT-3 është një nga modelet më të mëdha dhe më të fuqishme të përpunimit të AI deri më sot. Ajo që e bën ChatGPT kaq mbresëlënëse është aftësia e tij për të prodhuar përgjigje të ngjashme me njeriun, duk shfrytëzuar sasitë e mëdha të të dhënave mbi të cilat është stërvitur.

“Ajo që është emocionuese është se përgjigjet janë gjithnjë e më shumë të ngjashme me njerëzit, kështu që ajo që po shihni janë gjëra që ne nuk mendonim se kompjuterët mund t’i bënin më parë,” tha për CNBC Jeffrey Wong, shefi global i inovacionit në firmën e shërbimeve profesionale EY.

Një tjetër gjë që e dallon ChatGPT është aftësia e tij për të regjistruar kontekstin nga mesazhet e mëparshme të përdoruesve në një ‘fill’ dhe për ta përdorur atë për të formuar përgjigje më vonë në bisedë.

Pse është kaq popullor?

Asnjë aplikacion i mëparshëm i AI nuk ka arritur të arrijë llojin e ndikimit dhe viralitetit që ka ChatGPT.

Ai ka qenë temë e memeve të panumërta dhe bisedave të komunitetit të biznesit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, muajin e kaluar. Gjiganti kinez i teknologjisë Baidu bëri versionin e tij të quajtur Ernie Bot.

Chatbot regjistroi 1 milion përdorues në pesë ditët pas publikimit të tij, sipas një postimi nëTëitter të datës 5 dhjetor nga Altman.

Deri në janar, ChatGPT kishte grumbulluar 100 milionë përdorues aktivë mujorë vetëm dy muaj pas fillimit të tij, duke e bërë atë aplikacionin e konsumatorit me rritjen më të shpejtë në histori, sipas një shënimi të UBS të publikuar javën e kaluar.

TikTok-ut iu deshën nëntë muaj për të arritur 100 milionë përdorues dhe Instagram-it dy vjet e gjysmë.

31 janari ishte dita më e rëndësishme ndonjëherë për ChatGPT, me faqen e saj të internetit që grumbulloi një rekord prej 28 milionë vizitash ditore, sipas të dhënave nga Similarëeb. Kjo u rrit me 165% nga një muaj më parë.

Një arsye për popullaritetin e ChatGPT është aksesueshmëria e tij. Shërbimi është publik për këdo nëpërmjet faqes së internetit OpenAI, dhe aplikacionet e tij të mundshme shkojnë nga detyrat e shkollës deri te përmbledhjet ligjore.

Pse po përplasen gjigantët e teknologjisë

Microsoft po vë bast miliarda dollarë te pronari i ChatGPT, OpenAI. Në fund të janarit, titani i teknologjisë njoftoi një marrëveshje investimi shumëvjeçare, shumë miliarda dollarësh me OpenAI.

Microsoft nuk pranoi të zbulonte një shumë të caktuar në dollarë. Një raport nga Semafor tha se gjiganti i teknologjisë Redmond me seli në Uashington ishte në bisedime për të investuar deri në 10 miliardë dollarë në kompani.

Microsoft ka investuar më parë 1 miliard dollarë në OpenAI. Të martën, Microsoft organizoi një ngjarje për shtyp ku njoftoi përditësime të reja të fuqizuara nga AI për motorin e saj të kërkimit Bing dhe shfletuesin Edge. Altman konfirmoi se Microsoft kishte inkorporuar disa nga teknologjitë e gjuhës GPT-3.5 të OpenAI në Bing.

Kjo ishte një ditë pasi Google zbuloi kundërpërgjigjen e vet ndaj ChatGPT, të quajtur Bard AI. Kompania planifikon të fillojë të nxjerrë Bard në Google Search në javët e ardhshme.

ChatGPT shihet si një kërcënim për Google. Në vend që t’i drejtohen pionierit të kërkimit në internet për pyetjet më të rëndësishme, njerëzit mund të mbështeten te ChatGPT.

Google ishte në fakt në  pararojë në lojën e përparuar bisedore të AI, përmes nisjes së modelit të tij të madh gjuhësor të quajtur Lamda në vitin 2021. Megjithatë ai nuk mundi të niste prodhimin e e tij të konsumit të bazuar te Lamda, gjë të cilën shpreson ta ndryshojë përmes Bard, i cili është i fuqizuar sipas modelit gjuhësor.

Sam Altman

Sa i mirë është ChatGPT, në të vërtetë?

ChatGPT ka kufizimet e veta. Përgjigjet nga chatbot mund të përmbajnë pasaktësi faktike. Për shembull, mund të shpikë emra historikë dhe libra fiktivë që nuk ekzistojnë, ose të mos zgjidhë disa probleme matematikore.

“Aspektet e hapura të këtyre modeleve janë një thikë me dy tehe,” tha për CNBC Will Williams, nënkryetar i trajnimit të makinerive në startupin britanik të AI Speechmatics.

“Nga njëra anë, ka një nivel të lartë fleksibiliteti dhe rrjedhshmërie në ndërveprime, dhe një bisedë tërheqëse është e mundur për pothuajse çdo temë. Nga ana tjetër, nuk mund ta dini kurrë kur modeli është duke kontaktuar me realitetin dhe nuk po pëson haluçinacione duke u mbështetur te vetëbesimi i tepruar.”

Njohuritë e ChatGPT janë ende të kufizuara në të dhënat e vitit 2021, por mund të përmirësohen me kalimin e kohës. Në vazhdim, pritshmëria është që ChatGPT të jetë pararendës i sistemeve shumë më të përparuara të AI.

Për momentin, ekspertët thonë se inteligjenca artificiale prodhuese nuk është ende e aftë të arrijë inteligjencë ‘të përgjithshme’ si njeriu.

Inteligjenca e përgjithshme artificiale, ose AGI, shpesh konsiderohet ‘Grali i shenjtë’ i komunitetit të AI. Më së shpeshti i referohet aftësisë së një agjenti inteligjent për të kuptuar ose mësuar çdo detyrë intelektuale që mundet një qenie njerëzore.

Shumë kompani shpresojnë ta arrijnë këtë, nga OpenAI te DeepMind i Google.

Mundësitë e GPT-3 tashmë kanë çuar në pritshmëri dhe ekzaltim rreth modelit LLM të brezit të ardhshëm të OpenAI, GPT-4.

Duke zbutur pritshmëritë, Altman i OpenAI-it e zmbrapsi zhurmën që rrethonte GPT-4, duke deklaruar në një intervistë të fundit me StrictlyVC se njerëzit ‘mezi po presin që të zhgënjehen’.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNBC