Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: “Qëndresa është forcë”, kërkon durim dhe kreativitet


Gjatë vazhdimit të fjalës së tij për mediat në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, kreu i kësaj force politike,  Sali Berisha, tha se revolucioni paqësor nuk ka humbur ndonjëherë, por kërkon durim dhe kreativitet. “Qëndresa është forcë” tha ai.  

“Duhet të vazhdojmë me persistencë absolute këtë revolucion. Në mënyrë kreative. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Unë u them atyre, dhe ju do u thoni, se qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon.

Ai vazhdoi duke thënë se opozita është në hapat fillestare të mosbindjes civile.

Ne jemi në hapat më fillestarë të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të marrësh pushtetin me forcë. Që në këtë moment, kjo forcë asgjëson veten. Por përdorim çdo formë të mosbindjes civile”, u shpreh Berisha.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryetares së parlamentit Lindita Nikollës, ku tha se e trajton parlamentin si një plaçkë.

“Ju e shihni se si sillen në parlament. Kurrë parlamenti Linda-Rama nuk ka qenë në këtë situatë. Kurrë! Një grusht të zhveshur nga çdo moral politik, e trajtojnë parlamentin si një klub të neveritshëm, si një plaçkë të neveritshme. Bënë dje deklaratë që të më akuzonin mua si fajtor për sjelljet e shfrenuara të të tjerëve. Apo fajin e ka Saliu edhe këtu? Kjo ishte kulmore. Ja ku shkon degradimi. Duhet ta dini se aty nuk ishte vetëm Edi Rama, ishte edhe diçka tjetër.”