Vendosni fjalën kyçe....

“Mbi paranojën ruse dhe koncensionet e naftës”


 

Nga Rezarta Çaushaj 

Palët politike dhe surrogatet e tyre në Shqipëri gjithmonë do të japin vetëm gjysmën e fakteve, duke u përpjekur të distancohen nga ato që i inkriminojnë e duke ua atribuar dyshimet për abuzime vetëm kundërshtarëve.

Por, ndonjëherë faktet gjenden diku aty midis, ca këtej, ca andej dhe boshllëkun tjetër mund ta mbushësh me kërkim në Web, nëse ke fat.

Le ti marrim me radhë:

Znj.Kokalari, me një status të ditës së djeshme, preku zhvillimet në Shqipëri që lidhen me pikën 22 të dosjes McGonigal, ku zbulohet se:

“22. Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal është takuar me personin B dhe me Kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesë të personit A, i pandehuri McGonigal i ka kërkuar Kryeministrit të Shqipërisë që të ishte i kujdesshëm në dhënien e licencave për shpim vendburimesh nafte në Shqipëri sa u përkiste kompanive ruse (front companies). Personi A dhe personi B kishin të dy interesa financiare në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e licencave të shpimit për naftë. I pandehuri McGonigal i ka ofruar Kryeministrit të Shqipërisë pajisje të FBI-së në prani të personit B.”

Kokalari ka shkruar rreth dhënies me koncesion të 3 pikave të naftës, për të cilat aludohet në dosje se ish-kreu i kundërzbulimit të FBI po tentonte të ndikonte kryeministrin Rama. Por, ajo ose kushdo që i ka dhënë info asaj, ka bërë disa gabime.

Por, ndryshe nga sa shkruan Kokalari, McGonigal e Neza nuk ishin në garën për fitimin e licencës së vendburimeve të naftës, të paktën jo direkt.

Pika e lidhjes mes personazheve të dosjes dhe puseve të naftës është padyshim Shefqet Dizdari. Për rikujtesë, Dizdari në 2019 ia shiti një pjesë të aksioneve të kompanisë së tij LAËOFFICE& INVESTIGATION këtyre të dyve, si dhe Rossinit.

Shih statuset e mia të mëparshme.

1.Në garën për operimin e vendburimeve të naftës Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë ishte Shefqet Dizdari, që fitoi tenderin në datën 31.03.2018, me anë të kompanisë që ai administronte TRANSOIL (sot TERRAOIL), degë e kompanisë me seli në Zvicër, TERRAOIL SËISS AG. Dizdari nuk është vetëm administrator i degës shqiptare, por edhe zotërues i 31.4% të aksioneve të kompanisë në Zvicër. Kjo kompani kishte në operim vendburimin e Vioskës në 2008.

2.Në qershor të atij viti, në një shkrim të BIRN denoncoheshin çrregullimet në tenderin e fituar dhe favorizimi që ish-ministri Gjiknuri i bëri kompanisë së Dizdarit.

3.Por, në prill të 2017 po ish-ministri Gjiknuri akuzohet se po favorizonte një tjetër kompani, që ish futur nga Gazpromi. Bëhet fjale për Jurimex Kommerz Tranzit Ges, një kompani fantazmë të lidhur me Robert Noëikovsky-n dhe përfaqësuesi i degës së Gazprom Neft në Novi Sad, Igor Tarasov. I pari konsiderohet si shok i ngushtë me drejtorin e GAZPROMBANK, Andrej Akimov dhe të dy konsiderohen pjesë e KGB-së.

Sipas një shkrimi të Hashtag.al, Gjiknuri pushoi ish-drejtorin e AKBN-se, Viktor Tusha, kur ky i fundit kërkoi verifikimin e Jurimex, por më pas ndërhynë shërbimet e huaja të inteligjencës dhe kompania u paketua.

4.Llogaria ta do që kjo ishte kompania ruse kundër së cilës McGonigal po këshillonte Ramën në pikën 22 të dosjes më sipër.

5.BIRN në shkrimin e tij sillte edhe një note proteste që Dizdari i kishte dërguar Gazprom Neft, duke e konsideruar tratativën e JURIMEX si shkelje të parimeve të etikës e të bërit biznes të ndershëm, pasi këta 2 individë, ndërsa kishin hyrë në “një marrëveshje të fshehtë, besimi e juridike…” ata po përpiqeshin, me mënyra të pista, të fusnin GazpromNeft-in në tregun hidrokarbur shqiptar, të kamufluar si Jurimex.

Kjo është ndoshta e vetmja pikë kur këto dy media me nam do të bien dakord sepse gjerat do të shkojnë shumë keq në shkurt të 2020, pasi BIRN boton një tjetër artikull ku denoncon ato që quan lidhjet ruse të Transoilit.

6.Por, për të plotësuar tablonë, le të përmendim një fakt tjetër me rëndësi: Një tjetër kompani që humbi garën me Transoilin e Dizdarit, Letho Resources Corp, paditi në prill të 2019 në gjykatën administrative AlbPetrolin dhe Ministrinë e Energjetikës për abuzim me procedurat e tenderit. Do t’i rikthehemi.

7.BIRN dyfishon pretendimet mbi lidhjet ruse të Transoilit me një artikull të 07/02/20202, pasi kjo nënshkruan kontratë bashkëpunimi me GTG OIL, një kompani serbe e zotëruar nga një kompani me qendër në Moskë, ku aksioner është edhe Gazprom Nefti serb – që rikujtojmë zotërohet me 51% nga gjigandi rus i naftës. Complicated. I know!

8.Në datën 09/02/2020, përmes Exit.al Terraoil Sëiss AG, kompania mëmë e Transoilit, akuzon BIRN-in se ka shtrembëruar qëllimisht faktet mbi lidhjet ruse, duke sqaruar mes të tjerash se marrëveshja me nënkontraktorin serb për shfrytëzimin e burimit të Vioskës, të zotëruar nga Gazpromi, nuk u materializua kurrë sepse pas 2 muajsh periudhë prove kompania tregoi mungesë performance. Marrëveshja u anulua sipas TERRAOIL në qershor 2019, shumë kohë para botimit të shkrimit të BIRN. Ajo po ashtu përgënjeshtroi pretendimin se i kishte kaluar kompanisë ruse të drejta hidrokarbure, pasi për këtë nevojitej edhe firma e Albpetrolit, AKBN-së e Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë.

9.Një ditë më pas Likmeta publikonte në BIRN vendimin e Gjykatës Administrative ku pretendohej se përzgjedhja fitues e Transoil përkundër kompanisë paditëse Letho do t’i kushtonte shtetit 250-300 milionë dollarë.

10.Në datën 13/02/2020, TerraOil Sëiss AG, kompania zvicerane ku Dizdari është aksioner e që zotëron Transoilin, i shkruan gjithashtu letër të hapur drejtoreshës se zyrës qendrore të BIRN-it në Serbi, ku akuzon BIRN Albania dhe gazetarin Besar Likmetaj se ishte përdorur nga palë të treta për t’i bërë atij shantazh mediatik.

11.Hashtag.al identifikon në një artikull të 2 ditëve më parë, 11/02/2020, këtë palë të tretë për llogari të së cilës akuzon BIRN-in se ka punuar. Ajo nuk është veçse kompania që kishte ankimuar tenderin e fituar nga Transoili, Letho Resources Corp.

Artikulli zbulon se mbas kompanisë qëndron një shtetas grek Otirios Kapotas dhe bashkëpunetori i tij shqiptar, Arian Tartari, njëkohësisht bashkëjetues i deputetes së PD-së Albana Vokshi.

 Qeveria “Berisha” i dha dikur biznesmenit Arian Tartari një koncension nafte me 3 vendburime, nëpërmjet firmës “Stream Oil”.

Në 2013 kjo kompani kishte krijuar një grope borxhi prej 35 milionë dollarë dhe qeveria e re po përgatiste konfiskimin e saj. Kapotas – Tartari u treguan të shpejt dhe shitën aksionet një kompanie turko-amerikane, që quhej “Transatlantic”. Kjo e fundit më pas ia shiti një tjetër kompanie amerikane GBC Oil LTD.

Pra, Kapotas-Tartari tentoi kthimin në tregun e hidrokarbureve në 2017, kur qeveria hapi tender për 3 pikat e famshme të naftës, nën një llagap të ri. Kompania e tyre, që pretendonte do t’i sillte shtetit 300 milionë dollarë më tepër fitime, kishte lënë gropë septike vetëm 5 vjet më parë.

12.Një fakt, shumë interesant është se kompani e re e dyshes ishte financuar nga një kompani afër qeverisë, ANIO OIL & GAS e Alban Pezës.

Akoma më interesante: Kjo e fundit përfundoi (me një marrëveshje të dyshimte) duke blerë të drejtat e “Marrëveshjes Hidrokarbure për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në Vendburim Ballsh-Hekal”, datë 19.07.2007, të Stream Oilit të zotëruar fillimisht nga Kapotas-Tartari.

Marrëveshja e dyshimtë e drejtorit të AKBN-se për kalimin e të drejtave të operimit u bë objekt padie në një gjykatë arbitrazhi, ku kompania amerikane që i bleu më herët, GBC Oil LTD paditi shtetin shqiptar në arbitrazh dhe fitoi, duke i sjellë Shqipërisë një tjetër gjobë prej 12.5 milionë dollarë. Vendimi jo vetëm u mbajt i fshehtë, por u manipulua nga qeveria sikur ishte fituar.

Së fundmi, BIRNI botoi një javë pas Hashtagut një artikull ku publikonte po ashtu lidhjen STREAM-OIL – LETHO me dyshen Kapotas-Tartari.

Këto i shkruajta jo sepse jam e qartë plotësisht ku qëndron e drejta apo nëse ka një të tillë këtu, por që publiku të ketë ide të plotë se sa të koklavitura janë këto punë, por edhe pleksjen e interesave ekonomike PD-PS-LSI.

Kjo është hipokrite! Ne na shesin përralla me rusë e vetë pasurohen.

PS: Në komente po vë në dispozicion të gjithë materialin, që gjithsesi gjendet në Web, mjafton të bësh 2 e 2 bashkë.