Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Asnjë shqetësim për largimin e Çelës, edhe në Fier na ikën dy deputetë por më pas morëm dyfishin e votave


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për “Çim Peka Live” u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim me ikjen e deputetit të Shkodrës Agron Çela te PS-ja.

Meta tha se edhe në Fier i ikën dy deputetë por LSI-ja mori dyfishin e votave më pas.

Sipas tij, opozita nuk humbi asnjë gjë nga largimi i Çelës dhe shpreson që vendimi i tij të ketë qënë zgjedhja e tij e lirë.

“Unë nuk pengoj askënd që të ikë dhe t’i bashkohet Ramës. Nuk kam patur asnjë kontakt, asnjë takim, asnjë njoftim prej tij. Ndërkohë që 3-4 ditë para se të dilte ky lajm, kemi qenë në mbledhje Kryesie dhe dy javë më parë kemi qenë në Shkodër. Unë këtu nuk shoh asgjë politike. Në fund të fundit ka bërë një zgjedhje të tij dhe nuk përbën asnjë shqetësim për mua. Shpresoj të ketë qenë tërësisht i lirë dhe i pavarur në zgjedhjen që ka bërë. Në regjimin e Edi Ramës çdo gjë mund të ndodhë. Të iki unë te Rama? Kjo është e pamundur të ndodhë. Kush është shqetësimi? Pse iku nga opozita një deputet që kurrë nuk foli kundër qeverisë? Ka votuar ndonjëherë kundër qeverisë? Jo. S’kam asgjë për t’u shqetësuar. Dikur në LSI, iku një deputet i Fierit, iku edhe një tjetër. Thanë mbaroi LSI në Fier. LSI mori dyfishin e votave, dyfishin e mandateve. Unë shqetësohem kur ka diçka politike, ke një divergjencë politike me mua. Për arsye jo politike nuk jap dot shpjegime. Keni hallin e Shkodrës? Dera e shtëpisë time për të ka qenë e hapur edhe në orën 1 të natës për çdo hall e shqetësim. Telefoni im ka qenë gjithmonë i hapur për të. Tani ai ka ikur dhe unë e mësoj nga mediat. Ai është i lumtur, unë jam edhe më i lumtur se ai“, tha Meta.