Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama terror digjital mbi administratën, Zuckerberg e Musk të ndëshkojnë praktikën abuzive


Kreu i PD-së Berisha denoncoi sot atë që e quajti ‘terror digjital’ ndaj administratës nga kryeministri Rama.

Gjatë një bashkëbisedimi me mediat nga selia blu, kryedemokrati tha se gjatë javës është shpërndarë një aplikacion që marr pëlqimet dhe komentet e administratës.

Ai e quajti atë terror psikologjik ndaj administratës ndërsa i bëri thirrje shefit të Facebook Zuckerberg e atij të Twitter Musk të ndëshkojnë praktikën në fjalë.

“Së fundmi, duhet të dënoj me forcën më të madhe terrorin digjital, që po ushtrohet mbi administratë nga Rama. Gjatë kësaj javë është shpërndarë një aplikacion të cilin do ta quaja aplikacion terrori digjital ndaj punonjësve, në funksion të të cilit janë regjistrimi i Like dhe komenteve. Ky përbën terror psikologjik mbi punonjësit, ky vendim absurd u mor nga Rama pasi e pa vetën të tejkaluar nga Berisha në bilancin e 2022 në botën digjitale dhe nuk ia doli dot me gjithë blerjet like dhe hapur adresa falso, tani kaloi në një akt të paimagjinueshëm, për të fituar garën duke detyruar çdo punonjës për të bërë like dhe komente dhe duke ia mat me aplikacion. I bëj thirrje Zuckerberg  dhe Musk të ndëshkojë këtë praktikë të abuzimit me rrjetet e tyre sociale nga një njeri që s’ka asnjë parim.” – tha Berisha.