Vendosni fjalën kyçe....

Begaj pritje me gazetarët: Hapësira mediatike s’është në nivelin që e kërkon shoqëria, shpesh shndërrohet në fushëbetejë politike


Presidenti Begaj ka organizuar një pritje me gazetarët dhe përfaqësuesit e medias këtë fillim viti. Të ftuar në takimin me kreun e shtetit ishin si gazetarë e terrenit ashtu edhe ata emisioneve.

Begaj theksoi në fjalën e tij se hapësira mediatike në vend nuk është në nivelin që kërkohet nga shoqëria.

Ai tha se media në shumë raste shndërrohet në fushëbetejë politike, ku mundësohet çdo gjë, që nga lajmet e rreme deri te fjalori pa asnjë lloj filtri.

Begaj shtoi më tej se Shqipëria nuk ka realitetin e përballjen më të egër politike në Evropë e kësisoj nuk ka arsye që shoqëria të lihet si varëse e një dramë të parashkruar në redaksitë e mediave.

“Nga ana tjetër, më lejoni të shpreh një shqetësim që e ndaj me shumë shqiptarë të brezave të ndryshëm. Hapësira jonë mediatike nuk është në nivelin të cilin e kërkon shoqëria shqiptare. Shumë shpesh mediat, shndrrohen në fushë-betejë politike, ku çdo gjë është e mundur, që nga lajmi i rremë tek fjalori pa asnjë lloj filtri cilësie. Shqipëria e sotme nuk ka as realitetin e as përballjen politike më të egër të Evropës. Ndaj nuk ka pse media shqiptare t’i përjetojë e përçjellë si të tilla. Shoqëria shqiptare ka vite tashmë që merret shembull nga politika për arritjet e saj. Ndaj, kjo shoqëri nuk mund të lihet apo shfaqet si varëse e një drame politike e morale të parashkruar në redaksi, apo dhe llogari pa autorësi e rrjedhimisht pa përgjegjësi.” – tha presidenti.

Kreu i shtetit shtoi se Shqipëria është vend i jashtëzakonshëm për arritjet nga viti 1992, i rrallë për natyrën dhe forcën e vullnetit të shqiptarëve dhe një vend euroatlantik, i dedikuar në rrugën e tij drejt integrimit në BE.

Në këtë aspekt, vijoi ai, media duhet të ketë fuqinë e së vërtetës, largpamjes e frymëzimit pasi koha, mundësia e mbështetja për të ekzistojnë.

“Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm për arritjet e saj nga viti 1992 e deri më sot.  Vendi ynë është i veçantë për forcën me të cilën ka tejkaluar një histori e gjeo-politikë shumë të vështirë. Është i rrallë për natyrën e tij dhe forcën e vullnetit të shqiptarëve. Për të tjerat, Shqipëria është një vend euro-atlantik, thellësisht i dedikuar dhe në rrugën e sigurtë për integrimin euroatlantik në Bashkimin Evropian që ka probleme e arritje si vende të tjera në Evropë. Në këtë kuptim media duhet të ketë fuqinë e së vërtetës, të largpamjes dhe të frymëzimit si shumë simotra të saj me traditë demokratike. Është koha. Është mundësia. Ekziston edhe mbështetja.” – shtoi Begaj.

Në krye të fjalës presidenti theksoi se media është mision, pavarësisht vështirësive e sfidave duke u premtuar gazetarëve se të institucioni që drejton do gjejnë kujdesin për t’i dëgjuar, gatishmërinë  për t’i mbështetur.

“Përveçse pushteti i katërt, media është mision. Unë dua të shpreh mirënjohjen time për ju dhe të gjithë ata që i përkushtohen këtij misioni. E di që profesioni juaj ka vështirësitë e veta, që janë jo vetëm sfida profesionale, por kanë të bejnë dhe me sigurinë ekonomike e kushtet e ushtrimit të profesionit tuaj. Tek unë dhe institucioni  i Presidentit të Republikës do të gjeni dëgjuesin e kujdesshëm, dhe gatishmëri për mbështetjen që profesionistët e medias të kenë trajtimin, mirënjohjen dhe siguritë që meritojnë. Ju keni fuqinë e prezantimit të realiteteve të cilat mund t’i njohim më mirë e më ndryshe veçanërisht prej jush. Për këto realitete, cilatdo qofshin ato, e sidomos përsa i përket veprimtarisë sime dhe Institucionit të Presidentit: Ju siguroj se nuk do të ketë kërkesa të asnjë lloji për kohën dhe mënyrën e paraqitjes së tyre. Detyra jonë është t’ju ofrojmë gjithë informacionin dhe mbështetjen që e kërkon ligji, demokracia, dhe angazhimi qytetar.” – tha Begaj.

 Ai vlerësoi gjithashtu  kritikën dhe risitë e sjella nga mediat dhe rrjetet sociale duke theksuar se mund të shërbejnë si udhërrëfyese drejt arritjeve të medias.

“Kritika e risitë e sjella nga mediat e rrjetet sociale mund të jenë udhërrëfyese të shoqërisë drejt arritjeve të saj. Por, është e trishtë kur kjo mundësi shfrytëzohet për të përhapur baltën e ambicjeve të vogla të kujtdo ka llogari të hapura, me histori personale, ose me historinë a drejtësinë e këtij vendi. Këtë e them në kuptimin më të gjerë të fjalës, sepse unë e shoh profesionin e gazetarit me idealizëm e lartësi. E shoh këtë potencial te gazetarët dhe profesionitët tanë të mediave. Ndaj dhe mesazhi im sot, për ju l, në këtë fillim viti është: Të jeni frymëzues, referencë cilësie për të rinjtë që angazhohen me lajmin e median, dhe të arrini fuqinë e rolit që ju takon!” – mbylli Begaj.