Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen tre persona, dyshohet se përfitonin nga bizneset duke u hequr si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit


 

Jasmin  Pepaj, Rezart  Pepaj dhe Sherif Kadroviç, duke u hequr si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit kanë tentuar që të mashtrojnë një biznes në Tiranë, me qëllimin që t’i marrin 130 mijë euro.

3 personat nga qyteti i Shkodrës janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit ‘Signal’, pasi kishin ndërtuar një skemë të mirëfilltë mashtrimi, nga e cila e kishin pësuar disa biznese.

Në mashtrimin e rradhës ishte ‘pre’ një biznes në Tiranë, por autorët nuk arritën ta çonin planin deri në fund pasi  u arrestuan në flagrancë nga policia. Uniformat blu kanë pritur deri në momentin që është bërë dorëzimi i parave dhe më pas iu kanë vënë prangat.

Operacioni është kryer nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë, e ndërsa gjatë kontrolleve në banesat e tyre, janë gjetur edhe 12 600 euro të tjera.

Hetimet vijojnë pasi ka dyshime se përveç Jasmin  Pepaj 40 vjeç, Rezart  Pepaj 31 vjeç dhe Sherif Kadroviç, 36 vjeç të tre banues në Shkodër, ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Mashtrimi”.