Vendosni fjalën kyçe....

Kokalari: Pas 32 vitesh lojtarët kanë mbetur Rama e Berisha. Duket sikur janë njësoj, themeules të regjimit post-komunist


Evi Kokalari ka komentuar audion e bisedës së vitit 1990 mes Sali Berishës, Edi Ramës e Azem Hajdarit.

Ajo shkruan se pas 32 vitesh, lojtarët kanë ngelur të njëjtët e janë Edi Rama e Sali Berisha dhe se ata janë vegël e një regjimi që e ndërtuan vetë e themelues të regjimit post-komunist në Shqipëri.

Kokalari më pas hedh akuza ndaj PD-së duke theksuar se nuk ka ndërmend të bëhet konservatore dhe se ka manipuluar zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, në garën për Forumin Rinor e në primaret për Tiranën.

“E vetmja gjë që kuptova nga kjo video është që mbas 32 vitesh, lojtarët kanë ngelur po ata: Edi Rama dhe Sali Berisha!! Fatkeqësia është se PD-ja jo vetëm që s’ka ndërmënd të bëhet konservatore, por kryesia e saj, mbuloi të gjitha manipulimet që j’u bënë “votës së lirë” në Këshillin Kombëtar dhe në garën e Forumin Rinor, dhe jo vetëm kaq – por për t’ju thënë të gjithëve se “ne bëjmë ç’të duam”, dekoruan njëriun më mediokër, mashtrues dhe strumbullarin e manipulimeve, me kandidaturën “fituese” për t’u përballur me Velian. Ndërkohë shesin primaret si koshër (proces të pastër dmth).” – shkruan Kokalari.

Ajo shkruan më tej se audioja e ka shtyrë të rianalizojë personin që ka pasur në piedestal e për të cilin ka pasur dhembshuri si baba i dytë.

Kokalari shkruan se tashmë i duket se Rama e Berisha janë njësoj, vegla të një regjimi që e ndërtuan vetë duke qenë në fakt themelues të regjimit post-komunist.

“Audio e më poshtme, më bëri të ri-analizojë personin që kisha vënë në piedestal dhe për të cilin kisha dhëmbshuri si për një baba të dytë. Tashti duket sikur Rama dhe Berisha janë njesoj! Ata janë vegël e një rregjimi që e ndërtuan vetë. Ata në fakt, janë themelues të rregjimit post-komunist! Dy-tre mandate të tjerë mes Ramës dhe Berishës, do përfundojmë seriozisht në një rregjim të dytë 45-vjeçar. Me pak fjalë, kjo biseda e 1991 bëhet pikërisht në prag të shkatërrimit të një rregjimi, dhe në prag të ndërtimit të një rregjimi zëvëndësues. Eshtë kaq e thjeshtë!! Nuk do t’i shkruaja kurrë këto fjalë po qe se Berisha do ta kishte mbajtur fjalën dhe do ta konvertonte PD në një parti konservatore, ku vota e lirë vërtet do të mbrohej. Nuk do ti kushtonte gjë ta bënte. Ai vetë, është 78 vjeç. Karrierën politike e kishte të mbyllur. U kthye në betejë, prej damkës se DASH. Ne – të gjithë në krahë!” – vijon më tej Kokalari.

Në fund ajo shkruan se Sali Berisha ka pasur mundësinë të ndërtojë trashëgiminë e tij politike duke mbetur në histori e duke mundësuar një opozitë të fortë kundër korrupsionit më pervers në Ballkan që përfaqësohet nga Edi Rama.

Sipas Kokalarit, Berisha e ka ende mundësinë të hapë partinë dhe të afrojë intelektualë, duke theksuar se qytetarët janë të lodhur nga saga 32-vjeçare Rama-Berisha që dramatizojnë opozitarizmin ndaj njëri-tjetrit.

Berisha kishte mundësinë të ndërtonte trashëgimin e tij politike, që do të ngelej në histori duke mundësuar një opozitë të fortë kundër korrupsionit më pervers në Ballkan – atë të Edi Ramës.

Thonë se shpresa vdes e fundit. Dhe unë vazhdoj të shpresoj që Berisha do bëj një kthim 180 gradë duke hapur partinë, dhe duke sjellë rreth vetes intelektual, sepse vetëm ata mund të fitojnë garat elektorale.

Dhe nëse kjo nuk ndodh dy-tre muajt e ardhshëm, një parti e re opozitare është e pa-evitueshme, dhe në terrenin politik të sotshëm, sinqeriteti dhe integriteti janë te vetmet virtyte që do fitojnë. Njerëzit janë të lodhur me sagën 32 vjeçare, ku Rama & Berisha dramatizojnë opozitarizmin ndaj njëri-tjetrit.

Në fakt, bazuar sërish tek audio, lind pyetja a është Rama vërtet ideologjikisht socialist, apo thjeshtë e kishte kuptuar që PDne s’ja merrte dot Berishës, kështu që i ju vu Nanos? Po ta analizosh pak më thellë, duket sikur beteja nuk është për mbrojtje parimesh, por është thjeshtë ego pushteti. Ndryshe PDja sot, realisht do të ishte Parti Konservatore!” – mbyll shënimin në Facebook, Kokalari.