Vendosni fjalën kyçe....

Kombi ishullor kërkon dëmshpërblime nga Benedict Cumberbatch


Kombi ishull i Karaibeve, Barbados, shpreson të marrë dëmshpërblime për skllavërinë nga një numër njerëzish, duke përfshirë një deputet britanik dhe një aktor të njohur, si pjesë e një fushate më të gjerë për t’i bërë familjet ish-skllavopronare të kontribuojnë.

“Çdo pasardhësi të pronarëve të plantacioneve që kanë përfituar nga tregtia e skllevërve duhet t’i kërkohet të paguajë dëmshpërblime, duke përfshirë familjen Cumberbatch.” – tha për The Telegraph David Denny, Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes ‘Karaibet për Paqe e Integrim’, duke shtuar se fondet duhet ‘të përdoren për ta kthyer klinikën vendase në spital, për të mbështetur shkollat vendase dhe për të përmirësuar infrastrukturën  strehimin’.

David Commissiong, nënkryetar i komisionit kombëtar për dëmshpërblimet, i tha gazetës në Mbretërinë e Bashkuar se ishulli ishte vetëm në ‘fazat më të hershme’ të vlerësimit se kush do duhej të paguante, duke lënë të kuptohet se kishte shumë kohë përpara për të nxjerrë pjesën e duhur për t’u paguar dhe listën e emrave.

Qeveria tashmë po ndjek deputetin konservator të Mbretërisë së Bashkuar Richard Drax për pronën stërgjyshore të familjes së tij, të cilën dëshiron ta kthejë në një monument të skllavërisë.

Komisioni muajin e kaluar e bëri të qartë se nëse qeveria nuk mund të bindë familjet si Draxes dhe Cumberbatches të paguajnë dëmshpërblime me vullnetin e tyre të lirë, ajo do kërkojë vendimin e një gjykate arbitrazhi ndërkombëtar për t’i detyruar ato.

Edhe familja mbretërore britanike do jetë në shënjestër të pretendimeve për dëmshpërblime, paralajmëroi ai, ndërsa pranoi se do kishte qenë e pamundur të ndiqeshin pretendime të tilla nëse Barbados do të ishte ende pjesë e Komonuelthit Britanik.

Me sa duket, nëna e Cumberbatch e kishte parashikuar këtë, duke i kërkuar të birit të mos përdorte mbiemrin e tij të vërtetë në aktrim, që të mos vihej në shënjestër të pretendimeve për dëmshpërblime për historinë skllavopronare të familjes së tij.

Barbados u bë republikë e pavarur vetëm vitin e kaluar, duke u larguar nga Komonuelthi Britanik pas gati katër shekujsh. Kryeministrja Mia Mottley, kryeson gjithashtu komitetin rajonal të Karaibeve për dëmshpërblimet për skllavërinë.