Vendosni fjalën kyçe....

16% e të punësuarve pa kontrata, niveli më i lartë rajonal pas Kosovës


Informaliteti në tregun shqiptar të punës është mjaft i përhapur, por gati 16 për qind e punonjësve në Shqipëri nuk kanë një kontratë të shkruar, thotë raporti “Gjeopolitika dhe Kapja e Shtetit” nga Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe integritet (SELDI).

Partneri i SELD në Shqipëri Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) në anketën që ka bërë për punësimin informal në vendin tonë ka zbuluar një ndër pesë praktikat me të zakonshme të fenomenit, punësimin pa kontratë nga punëdhënësi.

Në Shqipëri anketa ka gjetur se 16 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 10 për qind e punonjësve paguhen më shumë se sa pretendohet në kontratë. Ky ishte niveli më i lartë pas Kosovës ku rreth 19 për qind e punonjësve nuk kishin kontrate të shkruar.

Në Maqedoninë e Veriut 9 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 19 për qind e punonjësve paguheshin më shumë se përcaktimi në kontratë. Në Malin e Zi 8 për qind e punonjësve nuk kishin Kontratë të shkruar dhe 22 për qind paguheshin më shumë se përcaktimet në kontratë.

Në Serbi, vetëm 6 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 27% e tyre paguheshin më shumë se shuma e vendosur në kontratë, ndërsa në Bosnjë vetëm 5% e punonjësve nuk kishin një kontrate pune dhe 35% e tyre paguheshin më shumë se përcaktimet në kontratë.

Një nga praktikat e përhapura të informalitetit është se baza e kontributeve të paguara për sigurimet shoqërore është shuma e shkruar në kontratë, dhe jo paga reale të cilën marrin punonjësit

Në vitin 2021, të dhënat e SELDI-t për ekonominë e fshehur e tregojnë së informaliteti në tregun e punës vijon të jetë i lartë në Rajon.

Vërehet rënie në Kosovë, Mal të Zi dhe sidomos në Serbi, duke renditur të dytën në Rajon pas Malit të Zi përsa i përket informalitetit në tregun e punës.

Shqipëria ka një përmirësim të vogël që nga viti 2019, por rezultatet e indeksit për vitin 2021 janë ende më të larta se në 2016.

Në dy vitet e fundit, efektet negative të ekonomisë informale janë intensifikuar nga pandemia Covid-19. Pandemia shtrembëroi konkurrencën, ndikoi në cilësinë e shërbimeve publike dhe shkaktoi më pak siguri në punë.

Pandemia theksoi boshllëqet e qeverisjes dhe krijoi mundësi të mëtejshme për abuzime me të drejtat e punës dhe skemat e mbështetjes financiare afatshkurtra.

Të gjitha qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar politika që synojnë trajtimin e informalitetit, por jo gjithnjë kanë qenë gjithëpërfshirëse, konsistente dhe efikase. Ekziston një qasje e fragmentuar dhe e pakoordinuar në të gjithë organet qeveritare përgjegjëse për ndalimin e punës së padeklaruar.

Një aspekt kyç i politikave kundër informalitetit është përshtatja e legjislacionit tatimor ndaj zhvillimeve teknologjike, sepse mund të ketë një vlerë të shtuar në formalizimin e aktivitetit ekonomik.

Përpjekjet për të përmirësuar kapacitetin operacional të autoriteteve tatimore, futja e shërbimeve elektronike dhe kompjuterizimi i administratave tatimore kanë ndihmuar në luftën kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor