Vendosni fjalën kyçe....

30 milionë euro hua nga Italia për Mbrojtjen civile/ Peleshi: Do të blejmë dy helikopterë për zjarret dhe përmbytjet


Në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrotjes Niko Peleshi tha se u vendos për blerjen e dy mjeteve ajrore për situatat emergjente, kryesisht në shuarjen e zjarreve dhe në rast përmbytjeje.

“Në mbledhjen e sotme u miratua një projekt vendim shumë i rëndësishëm, marrëveshje ndërvqeveritare mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile.  Pas tërmetit, siç e dini Italia është angazhuar për të mbrojtur sistemin e mbrojtjes civile me një financim në formë huaje prej 30 milionë euro.

Kjo marrëveshje është miratuar sot dhe gjatë janarit do të ratifiokohet në parlament dhe do të bëhet aktive. Pjesë e kësaj kredie, është parashikuar edhe blerja e dy mjeteve ajrore për zjarret.”- tha Peleshi.

Në këtë prononcim për mediet, gazetarët e pyetën ministrin lidhur me akuza se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç kanë thyer embargon e SHBA-ve dhe BE-së, duke lejuar tregtinë e grurit dhe të plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë, përmes Portit të Durrësit.

Peleshi tha se nuk ka asnjë informacion për një lajm të tillë.

“Nuk e kam këtë informacion, nuk jam njohur me këtë lajm. Nuk e di se sa e vërtetë është. Mund të ketë lloj-lloj portalesh që shkruajnë, por këtë informacion nuk e kam.”- tha Peleshi.