Vendosni fjalën kyçe....

Futbolli në zi, ndërron jetë në moshën 53-vjeçare Sinisa Mihajloviç


Ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare legjenda e Serie A, Sinisha Mihajloviç.

Ish-mbrojtësi i Jugosllavisë dhe i disa prej ekipeve më të njohura në kampionatin italian, Sinisa Mihajloviç, ka ndërruar jetë sot në Itali.

Në vitin 2019, futbollisti i mirënjohur njoftoi se ishte diagnostikuar me leuçemi.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka luajtur për ekipet italiane Roma, Sampdoria, Lazio e Inter. Si trajner, Mihajloviç ka drejtuar një mori ekipesh, mes të cilave edhe Milanin.

Në një deklaratë nga familja e tij thuhej: “Gruaja Ariadne, me fëmijët Viktorija, Virginia, Miroslav, Dusan dhe Nikolas, mbesa Violante, nëna Vikyorija dhe vëllai Drazen me pikëllim të thellë komunikojnë vdekjen e parakohshme të burrit, babait, djalit dhe vëllait të tyre shembullor, Sinisha Mihajloviç. Një profesionist unik dhe një njeri i jashtëzakonshëm, i dobishëm dhe i mirë për të gjithë. Ai luftoi me guxim kundër një sëmundjeje të tmerrshme. Falënderojmë mjekët dhe infermierët që e ndoqën ndër vite me dashuri dhe respekt. Sinisa do mbetet gjithmonë me ne.”

Mihajloviç ishte një nga yjet e futbollit italian për tre dekada, pasi iu bashkua Romës në vitin 1992.

Ai bëri 69 paraqitje për klubin kryeqytetas dhe vazhdoi të luajë me Sampdoria, Lazio e Inter Milan, duke arritur në mbi 400 paraqitje në Serie A.

Më pas ai nisi punë si trajner, duke filluar si asistent te Inter, përpara se të drejtonte Bolognan (dy herë), Catanian, Fiorentinan, ekipin kombëtar serb, Sampdorian, Milanin, Torinon dhe Sporting Lisbonën.

Mihajloviç konfirmoi në një konferencë për shtyp në korrik 2019 se ai ishte diagnostikuar me leuçemi, por vazhdoi punën e tij në Bologna ndërsa po trajtohej.

Ai njihej si një mbrojtës i ashpër dhe konsiderohet gjerësisht si një nga goditësit më të mirë të goditjeve të lira në historinë e lojës.

Mihajloviç ende mban rekordin e Serie A për më shumë gola nga goditjet e lira, me 28.