Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj pret në takim kryeministrin grek: Çdo çështje të vjetër dhe të re do e trajtojmë me seriozitetin maksimal


Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot në një takim kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ky i fundit ishte në një vizitë në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt gjatë ditës së sotme.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë këtij takimi Begaj ka theksuar rëndësinë për të trajtuar çdo çështje të vjetër dhe të re me seriozitetin maksimal, duke iu referuar këtu edhe marrëveshjes me detin.

 “Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s.”- u shpreh Presidenti Begaj.

Një tjetër çështje që u prek në këtë takim ishte edhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

 “Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen.”– tha Begaj, i cili mes të tjerash vlerësoi marrëdhëniet dhe partneritetin midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike.