Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Do heqim taksat për shtëpitë botuese, për shtypshkronjat do t’i ulim


Pas vizitës në Panairin e 25 -të të Librit “Tirana 2022” që organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka premtuar heqje të taksave për shtëpitë botuese.

Ai e bëri këtë premtim pasi dënoi sipas tij politikën anti-libër që ndjek kryeministri Edi Rama.

“Kur flasim për librin nuk mund të mos parashtrojmë këtu të gjitha problematikat e mëdha që ka krijuar ky njeri që për veten e vet, pretendon se me një libër ndërtoi sarajet e Surrelit dhe tani takson si shtëpitë botuese, edhe shtypshkronjat, duke rritur kostot dhe ulur tirazhet e librave në mënyrë dramatike.

Kjo politikë antilibër në të vërtetë është politikë e mirëfilltë antishqiptare. Vetëm tarifat dhe taksat dogane që ky vendos e bën librin pothuajse të ndryrë në territorin e Shqipërisë, në një kohë kur ne jemi një komb ku ¾ i kemi në dhera të tjera.

Dua të garantoj të gjithë autorët, krijuesit se një politikë tjetër krejtësisht e ndryshme nga kjo do të instalohet.  Se bibliotekat që Borges i quan pothuajse parajsa, do të njohin mbështetje të fuqishme për të blerë dhe pasuruar me librat e autorëve tanë dhe ndërkombëtarë. Se nuk do të ketë taksë edhe për shtypshkronjën edhe për shtëpinë botuese. Përkundrazi ajo e shtëpive botuese do të hiqet dhe ajo e shtypshkronjave do të jetë në nivelet më të pranueshme.

Do të bëhet gjithçka për një hapësirë shqiptare libri. Libri në raportin fiskal nuk do të ketë kufi. Do të ketë një mendësi krejtësisht tjetër. Kolonat e mendimit shqiptar do të jenë kollonat e bibliotekave tona në mbarë Shqipërinë.

Ftoj të rinjtë të lexojnë sa më shumë libra. U rikujtoj këtu një shprehje të Xhorxh Martin, i cili thotë se, njeriu me librat që lexon jeton me mijëra jetë. Pra pasurohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë e kuptoj pasionin e tyre për dixhitalet por asgjë nuk mund të zëvendësojë magjinë e librit. Uroj që edhe ky festival, dhe më bëhet shumë qejfi e gëzohem që e shikoj me të rinj, adoleshentë dhe fëmijë. Uroj që ky pasion të ju bëhet pasion i jetës së tyre, pasi në tërë jetën nuk do të gjejnë një mik më të mirë se libri.”- tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët, Berisha zbuloi edhe librat që bleu sot në Panair. Ai tha se disa madje edhe donin t’i dhuronin libra nga Panairi, por ai nuk pranoi dhurata sot.

“I mora disa, bleva disa, bleva pa diskutim. Këtu në panair pati mjaft që donin të dhuronin. Në panair librat blihen, nuk merren dhurata në panaire. Kam blerë një botim të plotë të bibliotekës Françeskane të Anton Patër Harapit, kam blerë libra të shkrimtarit tim të dashur, Markez, kam blerë libra për fëmijë, për nipin tim dhe një seri librash.

Mora një libër të një ish-shoqes time në vitet e para të fakultetit, Ana Cohen. Ana është një mjeke në fakt, por që është edhe shkrimtare tani, me origjinë hebreje nga Vlora, por në Nju Jork ajo u shndërrua në një nga aktivistet më të zjarrta të çështjes shqiptare dhe një avokate e vërtetë e shqiptarëve dhe prandaj mora libri e saj për të lexuar se çfarë ka.”– tha ai.