Vendosni fjalën kyçe....

Rama për Portin e Durrësit: Do rrisë punësimin, akuzat e opozitës tërbim non-gratash që financohen nga Rusia


Kryeministri Rama ka përsëritur akuzat ndaj PD-së se është financuar nga para ruse për të rrëzuar nga pushteti PS-në, duke pohuar se është një fakt i dokumentuar.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët,  kreu i qeverisë mbrojti projektin e Portit të Durrësit duke thënë se ai do rrisë punësimin ndërsa akuzat e opozitës se pas tij qëndrojnë serbë e të tjerë i quajti tërbim ‘non gratash’ duke sulmuar kreun e PD-së, Berisha.

“Së pari nuk kam qenë asnjëherë dakord dhe s’kam për të qenë kurrë dakord me këtë shenjën e barazisë. Mund ta vendosni shenjën e barazisë sa herë të dëshironi, por kjo është puna juaj. ‘Ka pasur akuza, ju për ata dhe ata për ju’, besoj se nuk është vështirësi e madhe të bëhet dallimi mes komentit të një fakti dhe akuzave pa fakte. PD është financuar me para ruse gjysmë mbi dollarë për të rrëzuar PS, nuk është akuzë, por fakt. Ky është një fakt i dokumentuar për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, nga media ndërkombëtare, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu dhe nga media kombëtare, dhe i konfirmuar nga Shërbimi Sekret Amerikan, CIA. Akuzat me serb dhe se di me ça tjetër, janë prodhime të një tërbimi të madh, një tërbim non-gratash dhe spiunësh për një çështjeje kryesore në rajon për një investim që duhet të jetë krenari kombëtare. Sepse do të transformojë Durrësin. Do të rritet eksponencialisht punësimin.” – tha Rama.

Kryeministri i quajti në hava akuzat e opozitës për Portin e Durrësit duke thënë se duhet t’i provojë ato që thotë dhe se nuk është barra e qeverisë të provojë të kundërtën.

“Të ngresh akuza të tilla në hava, është fatkeqësi kombëtare. Ne kemi bërë zgjedhjen. Nuk lë rast pa lartësuar emrin e shqiptarëve dhe Shqipërisë kur flas në gjuhë të huaj, por non-gratat e turpërojnë emrin e Shqipërisë sa hapin gojën dhe me emrin e tyre. S’ka gjë më shumë për të ardhur keq, saqë mediat reflektojnë këtë deformim pa asnjë kontribut. Unë mund t’ju akuzoj të gjithëve për bashkëpunëtorë me djallin, por kjo mbete akuzë në hava. Ndaj nuk është detyra juaj të që të provoni këtë, por e imja. Kjo është vendosur që në kohën e Romës. Shqiptarët ushqehen me dokrra dhe dëngla. Është barra e atij që akuzon që të provojë akuzën dhe jo barra e atij që akuzohet, që të provojë se akuza është e vërtetë. Cilët serbë, cilët kinezë? Cilët?! PD është financuar me para ruse, ky është fakt.” – shtoi Rama.