Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Porti i Durrësit është porti më i madh i kokainës në botë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet ka reaguar lidhur me rastin e kokainës së kapur në një ngarkesë me banane në Durrës. Ai deklaroi se të gjithë autoritetet e Portit janë të përfshirë në trafikun e drogës, madje e konsideroi si portin më të madh të kokainës në botë.

“Kjo ikje masive e shqiptarëve diktohet nga kjo qeveri që nuk ka ligj e moral, nga kjo qeveri që vret shpresën e shqiptarëve, nga kjo qeveri që pasi i dorëzon krimit të gjitha sistemet e policisë, TIMS, MEMEX, të gjithë kartotekën 30-vjeçare të policisë, pasi hap dyert për largimin masiv në vende të tjera, pasi hap dyert për eksportin të krimit në katër anët e botës, vesh petkun e pseudopatriotit dhe shan si ordiner në rrugë.

Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera.

Lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, dënoj me forcën më të madhe, këto qëndrime të cilat qëndrojnë në themel të dramës shqiptare që luhet në La Manshe.

Sigurisht hedh poshtë çdo etiketim të shqiptarëve. Kriminele dhe kryekriminele është qeveria e Edi Ramës. Është vetë Edi Rama, ministrat dhe zyrtrët e tij. Të cilët arritën deri në atë shkallë sa të zhdukin çdo kontroll në kufijtë e vendit.

Shihni çfarë ndodh në Portin e Durrësit. Për gjashtë muaj rresht, porti u la jashtë kontrollit. Zbarkuan tonelata kokainë. Ato shkuan drejt Europës.

Tani pasi u alarmua e gjithë bota, tani janë dyndur. Në port, të gjithë autoritetet janë të përfshirë në trafikun e kokainës.

Porti është shndërruar në portin më të madh të kokainës në botë dhe Edi Rama përpiqet që t’i mbulojë këto me sharje ordineri, me sulme dhe fjalor të një njeriu si ai.”- tha Berisha.