Vendosni fjalën kyçe....

Berlini e Moska tani janë kundërshtarë – Presidenti gjerman


Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka deklaruar se Moska dhe Berlini tani janë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Ai përmendi sulmin ushtarak të Rusisë në Ukrainë si arsyen e rivlerësimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shtoi se nuk ka kthim prapa në ‘ëndrat e vjetra’.

Duke iu drejtuar kombit të premten, Steinmeier e përshkroi vendimin e Rusisë për të nisur fushatën e saj ushtarake në shkurt si një ngjarje problematike.

Ai pranoi se shumë njerëz në Gjermani ‘ndihen të lidhur me Rusinë dhe popullin e saj, e duan muzikën dhe letërsinë ruse’. Por realiteti i ri do të thotë ‘nuk ka vend për ëndrrat e vjetra’, shpjegoi zyrtari, duke iu referuar idesë së ish-presidentit sovjetik Mikhail Gorbachev për një ‘shtëpi të përbashkët evropiane’.

“Vendet tona kundërshtojnë njëri-tjetrin sot.” – tha Steinmeier.

Presidenti deklaroi se Gjermania është ‘në një konflikt’, por gjithashtu tha se nuk është ‘në luftë’. Duhet të shmanget një përshkallëzim i mëtejshëm i armiqësive në Ukrainë dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e kombeve të tjera në konflikt, theksoi ai.

Duke iu drejtuar ambasadorit të ri ukrainas në Gjermani, Alexey Makeev, Steinmeier premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për Kievin, ushtarak, financiar dhe politik, për aq kohë sa është e nevojshme.

Ai gjithashtu paralajmëroi bashkatdhetarët e tij për ‘shumë vite të vështira në vijim’.

Presidenti pranoi se sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Berlini po dëmtojnë edhe Gjermaninë. Megjithatë, ai tha se fuqia ekonomike evropiane nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vendoste masa ndëshkuese.

Steinmeier vazhdoi të pretendonte se sanksionet, pavarësisht nga pasojat e dukshme negative, janë në interesin më të mirë të Gjermanisë në planin afatgjatë. Si shembull, ai përmendi përpjekjen e Berlinit për t’u çliruar nga varësia ndaj një ‘regjimi që përdor energjinë si armë’. Për Gjermaninë dhe gjermanët, sfidat e tanishme janë ‘provimi’, të cilit kombi duhet t’i rezistojë.