Vendosni fjalën kyçe....

U kap me doza kanabisi dhe armë të ftohta, arrestohet 31-vjeçari në Fier


Një person është arrestuar në Fier pasi u kap duke ushtruar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.

Policia i sekuestroi doza kanabisi dhe 2 armë të ftohta.

Shërbimet e Policisë Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, në qytetin e Fierit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Radostina”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi R. V., 31 vjeç, banues në Radostinë, Fier.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit R. V. dhe kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan 33 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis dhe një sasi prej 630 gramë cannabis që do të ndahej në doza, për t’u shitur. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 2 armë të ftohta, 1 thikë edhe 1 përfocues grushti, të cilat iu gjetën 31-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.