Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria ukrainase sulmon pozicionet ruse në Kherson


Forcat ukrainase kanë granatuar pozicionet ruse në rajonin e pushtuar dhe të aneksuar paligjshëm të Khersonit, duke shënjestruar rrugët e furnizimeve nëpër Lumin Dniepër, teksa duket se forcat e Kievit po përgatiten të kryejnë një sulm të plotë ndaj qytetit të Khersonit.

Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 88 vendbanime në rajonin jugor të Khersonit dhe 551 vendbanime në rajonin verilindor të Kharkivit janë “çliruar”, teksa kundërofensiva e forcave ukrainase në Kherson po vazhdon.

Kyrylo Tymoshenko, zëvendëskreu i Zyrës së Zelenskyt, publikoi këto të dhëna, që janë të parat qëkur ushtria ukrainase ka nisur kundërofensivën disa javë më parë në Kherson dhe Kharkiv.

Ndërkaq, Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 21 tetorit shtoi se forcat e tij po tregojnë “rezultate të mira” në rimarrjen e territorit nga forcat ruse në Kherson.

Ukraina po tenton që të dëbojë forcat ruse nga Khersoni, duke i sulmuar nga pjesa lindore e Lumit Dinepër. Por, forcat ruse, që gjenden në pjesën perëndimore të bregut të këtij lumi, ku gjendet edhe qyteti i Khersonit, raportohet se janë afër që të humbin linjat e furnizimeve dhe përforcimeve.

Natalya Humenyuk, zëdhënës i komandës jugore të Ukrainës, tha se ushtria ukrainase ka goditur Urën Antonivski mbi Dniepër gjatë natës, teksa zyrtarët e instaluar nga Rusia në Kherson kanë vendosur orë policore, për të parandaluar viktima në mesin e civilëve.

“Ne nuk sulmojmë civilët dhe vendbanimet”, tha Humeniuk për televizionin ukrainas.

Sulmet ukrainase e kanë bërë të pakalueshme Urën Antonivski, duke detyruar palën ruse që të përdorë tragete për të zhvendosur civilët, por edhe për të transportuar furnizime.