Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 500 mijë euro të padeklaruara në Portin e Durrësit, autobusi erdhi nga Italia


Rreth 500 mijë euro janë sekuestruar në Portin e Durrësit në një autobus që vinte nga Porti i Barit, Itali.

Drejtuesi i mjetit që është gjithashtu edhe pronari i tij, E.Ç. është ndaluar nga policia.

Shuma e kartëmonedhave është gjetur e fshehur në disa pako në tavanin e autobusit.

Sasia e valutës që po futej në mënyrë të paligjshme u kap nga skaneri ndërsa po numërohen nga autoritetet për të përcaktuar shumë e saktë të tyre.

Njoftimi.

“Durrës/Informacion paraprak

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro. Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë. Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.”